Ende pa u zbuluar gjysma e skuadrave finaliste të Europianit 2020, turneu kontinental i futbollit ka gjeneruar një interesim të jashtëzakonshëm te tifozët. Të paktën 14 milionë kërkesa nga 207 vende të globit kanë pushtuar portalin e UEFA-s për kampionatin që verën e ardhshme do të nisë rrugëtimin e tij nga Roma me ndeshjen e hapjes në 12 Qershor në stadiumin ‘Olimpiko’.
E premtja e 12 Korrikut ishte data e fundit në të cilën të interesuarit mund të aplikonin për bileta në stadiumet e qyteteve që presin fazën finale. 14 milionë njerëz krijuan profilet e tyre nga shumë vende duke përfshirë dhe Shqipërinë, një rekord duke marrë parasysh që UEFA nxori në treg vetëm 1.5 milionë bileta nga 3 milionë në total.
Pjesa e mbetur do të shkojë për tifozeritë e 24 kombëtareve finaliste ndërsa në lotarinë online që do të aplikojë qeveria e futbollit europian, do të përzgjidhen fituesit deri në mesin e muajit Gusht. Tifozët me fat që do të fitojnë të drejtën e biletave, do të kenë vetëm 10 ditë kohë për të kompletuar blerjen, në të kundërt gjithçka do të humbasë.
UEFA ka raportuar se qytetet ku janë përqendruar më shumë kërkesat, janë Londra, Mynihu dhe Amsterdami. Në kryeqendrën britanike do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale, dhe finalja e madhe.
Top Channel