Shtetet e Bashkuara dhe blloku europian e kishin ngritur zërin të shqetësuara se mos presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndez shkëndijat e një konflikti në detin Egje e Mesdheun lindor, me sytë nga ishujt grekë e Qipro, por rreziku duk sikur u bë më i prekshëm kur këtij kori sërish iu bashkua dhe ish-kryeministri grek, Kostas Simitis.

Njeriu që ka drejtuar dikur socialistët e PASOK-ut druhet se Kreu i Shtetit turk mund të jetë duke planifikuar një krizë tjetër të tipit Imia, një referim ky për incidentin e 1996-tës, kur të dy vendet gati sa nuk u zhytën në luftë në luftë për ishujt e vegjël të pabanuar mes brigjeve turke dhe ishujve grekë. Shqetësimin e tij, Simitis e tregoi qartë në një intervistë dhënë të përditshmes, Kathimerini.

“Këto janë probleme që dihen, por kushtet që po krijohen janë ndryshe nga ato që kanë mbizotëruar për dekada të tëra”, u shpreh Simitis.

Me këtë koment, ai iu referua faktit që Erdogani ka dërguar dy anije me ekspertize ne kërkimin e energjisë dhe një luftanije drejt zonës ekskluzive ekonomike të Qipros. Qëllimi është I qartë, të kërkohet për naftë dhe gaz aty ku kompanitë e huaja, përfshirë amerikanen ExxonMobil janë licensuar të kontrollojnë.

Simitis I kthehet sërish krizës së Imias, – ku tre ushtarakë grekë vdiqën nga rrëzimi I helikopterit të tyre në këtë vend të shndërruar në burim tensionesh në periudhën përpara incidentit, me të dyja palët që vinin e shkulnin flamurin e njëri tjetrit. Asokohe ai ka qenë shef ekzekutivi, dhe ngjarjet I kujton mirë. Simitis ka bindjen e plotë se rrëzimi I helikopterit, I cili nuk u shpjegua kurrë e që disa besojnë se ishte i qëllimshëm, “nuk qe aspak një rastësi“.

“Ajo që ndodhi ishte se lidershipi turk kërkoi të përfitonte nga kriza që shkaktoi sëmundja e Andreas Papandreou-t, dorëheqja e tij dhe caktimi I një lidershipi të ri të cilin, kishte bindjen se mund ta zinte në befasi”, u shpreh Simitis.

Në analizën që i bën ai situatës, del në përfundimin se me Greqinë e përfshirë nga ethet e periudhës elektorale, me pas zgjedhjet e parakohshme të 7 korrikut dhe këtë hije konflikti në horizont, fituesja e ketyre zgjedhjeve Demokracia e re, qe arriti ta mposhte Syrizen ne pushtet, do të ketë tani një “patate të nxehtë në duart e saj“ .

“Nuk përjashtohet mundësia që lidershipi turk të ketë në mendje ndonjë skenar konflikti. Konfrontimet intensive politike ne Greqi përpara zgjedhjeve krijojnë kushte të favorshme për një veprim të tillë. Turqia mbase del në përfundimin se kjo periudhë I siguron një dritare mundësish për të imponuar këndvështrimin e saj mbi përcaktimin e ujërave territorial greke dhe kufijtë e shtratit të detit Kontinental”, tha Simitis.

Ish ministri I jashtëm grek, Jorgos Katrougalos, e minimizoi mundësinë e një konflikti të hapur. Në bindjen e tij, Ankaraja po kërkon të imponohet, por nuk synon më shumë..

“Turqia nuk po synon të provokojë një luftë, ajo do që ne gjendemi përballë një “fait accomplit“, një fakti të kryer”, tha Jorgos Katrugalos.

Arsyeja e këtij sherri të ri me Athinën dhe më Nikozinë është Zona Ekonomike Eksluzive e Qipros, dhe e drejta e kërkimëve për gaz natyror në Lindje të Mesdheut.

Ish-kryeministri Aleksis Tsipras i dërgoi një paralajmërim Turqisë që ka nisur aktivitetet e shpimit brenda EEZ-së qipriote, veprime këto të paligjshme sipas tij. Tsipras foli për “pasoja të rënda” për marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Europian dhe për të mbarë stabilitetin rajonal nëse qeveria turke këmbëngul në këtë lëvizje ilegjitime të saj, si për t`i treguar kështu njëkohësisht se Greqia nuk është vetëm, sepse ka në krah edhe bllokun europian e aleatët e saj.

Turqia pretendon se po mbron të drejtat e veta e ato të Qipros turke në zonën e rezervave të energjisë. Erdogani tund përpara hundës së grekëve argumentin e nevojës së një shpërndarjeje më të drejtë të hidrokarbureve në Lindje të Mesdheut.

“Kemi katër anije në zonë dhe I kemi marrë të gjitha masat. Kryeministri grek vazhdon flet me vete, por pavarësisht atyre që ai thotë, ne I kemi ca të drejta këtu! Derisa të arrijmë një shpërndarje të drejtë të burimeve natyrore në Mesdheun Lindor, ne do të vazhdojmë të lëvizimim me vendosmëri në atë zone”, tha Erdogan.

E ndërsa Tsipras përmendte aleatët europianë e të tjerë, Erdogani preku si shkarazi çështjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore, duke iu kundërvënë edhe një herë kështu pretendimeve të Amerikës për blerjen e armatimeve të saj.

“Shpresojmë që nga muaji tjetër të nisin të na vijnë sistemet e mbrojtjes ajrore S-400, të cilat I porositëm muajin e kaluar. Nuk do të bëjmë asnjë hap prapa lidhur me këtë çështje”, tha Erdogan.

Rezervat e gazit i dhanë hov të ri pak vite më parë shpresave për ripërtëritjen e bisedimeve të paqes në ishullin e ndarë të Qipros, ndërsa injektoi asokohe dhe një dozë të fortë optimizmi se ekonomia e gjunjëzuar vendase, do të merrte një tjetër frymëmarrje.

“Mbase kjo situata me hidrokarburet do të ndihmojë edhe me zgjidhjen e këtij problem, se po nuk u bë tani, nuk e di kur mund të zgjidhet. Ndoshta është një shans I mirë edhe për ekonominë e Qipros, sepse këto vitet e fundit, gjërat këtu kanë çaluar shumë”, u shpreh George Fantaros, ekspert energjie.

“Kam shpresa të mëdha se këto rezervat e naftës dhe gazit do të ndihmojnë shumë Qipron, nëse të huajt do të na lejojnë t`I menaxhojmë vetë”, u shpreh Themis, e papunë.

Sot ato rezerva janë arsyeja e radhës që Greqia e Turqia gjenden sërish në kurs përplasje. Sepse në fakt, marrëdhëniet diplomatike mes Greqisë dhe Turqisë nuk kanë qenë asnjëherë të thjeshta, dhe nuk duhet shumë për t`i dhënë sëcilit krah një shkëndijë sado të vogël për të treguar dhëmbët. Gjatë shekullit të 20-të, të dy vendet I janë afruar rrezikshëm shpërthimit të konfliktit në më shumë se një rast. Rasti më i fundit ishte vitin e kaluar, kur dy aleatët e NATO-s, u gjendën sërish rrezikshëm përballë njëri tjetrit në një përshkallëzim retorikash të ushqyera nga populistët e dy krahëve. Në rastin e Imia-s, sipas Foreign Policy, ndërhyri Amerika për të shmangur katastrofën. Por prillin e një viti më parë, situata u përflak sërish:

“Kryeministri turk Binali Yildirim, gjatë një eventi në Ankara, pretendoi se roja bregdetare turke kishte hequr një flamur grek nga një ishull I vogël pranë Fournoi-it, pasi flamuri ishte vendosur atje më parë nga tre grekë. Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare Helenike reagoi duke thënë se asnjë anije turke nuk ishte parë në zonë gjatë 48 orëve të fundit; kryetari i bashkisë së Fournoit vizitoi ishullin dhe raportoi se flamuri grek ishte ende atje. Por Greqia ishte e detyruar t’i përgjigjej pretendimeve të Yildirimit me seriozitetin më të madh. Incidenti i së hënës pasoi një aksident tragjik javën e kaluar gjatë të cilit mbeti I vrarë një pilot grek; avionic I tij u rrëzua ndërkohë që kthehej në bazë nga një mision për të diktuar avionë luftarakë turq rreth 10 milje në veri të ishullit Skyros. Dhe ky nuk ishte një incident i izoluar: vetëm gjatë muajit prill, avionët turq e kishin shkelur hapësirën ajrore greke më shumë se 30 herë”, shkruan Foreign Policy.

Ishulli I vogël që rrëmbeu vëmendje të madhe, ishte e atyre të cilat Turqia I cilëson “ zona gri“ në Detin Egje, juridiksioni I të cilave është I diskutueshëm. Greqia nuk I njeh zona të tilla, në përputhje me Traktatin e Lozanës dhe ligjin ndërkombëtar. Pozicionin e Ankarasë për këtë cështje, Erdogani e përforëcoi edhe gjatë vizitës në Athinë në 2017-tën, të konsideruar si historike, kur doli me pretendimin që traktati I Lozanës duhej rishikuar sipas tij, e si argument për këtë, përdori pakicën turqisht folëse në Trakë, në veri të Greqisë.

Nën shtratin e detit të Qipros fle një thesar, thotë analisti Diego Cupolo, e ai mund ta ndryshojë hartën gjeopolitike. Depozitat e mëdha të gazit në lindje të Mesdheut u kthyen në magnet për gjigandë të energjisë si Exxon Mobil dhe Qatar Petroleum, të cilët gjetën një rezervuar të madh pranë ishullit të ndarë. Në territorin e tij ishte tashmë fusha e tretë me gaz.

“Edhe në afërsi të Israelit dhe Egjiptit ka depozita të karburantit të lakmuar. Mesdheu Lindor mund të kthehej në një burim kryesor për tregun ndërkombëtar të energjisë, duke zhvendosur peshën dhe ndikimin e pushteteve në rajon. Kjo nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së diplomatëve amerikanë. Ata shohin aty një mënyrë për ta zmbrapsur ndikimin e Rusisë – në tregun botëror të energjisë dhe në Mesdheun lindor. Nga Uashingtoni vijnë sinjale në mbështetje të bashkëpunimit ndërmjet Izraelit dhe anëtarëve të BE-së, Qiproja dhe Greqia”, tha Diego Cupolo.

Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara e kishin lënë ca pas dore rajonin, vëren Cupolo. Dhe aty ku lë vakum Amerika, mund të hyntë Rusia, ndërsa tani në gjykimin e analistit, depozitat në Mesdheun Lindor mund të shërbejnë edhe si një levë për të ndryshuar kahun. Sepse gazi i atjeshëm nuk do të furnizonte vetëm rajonin, shton analisti duke cituar edhe ekspertin qiprito Harry Tzimitras, ai mund të furnizonte edhe Evropën, e cila deri tani vazhdon të jetë e varur nga importet ruse.

“Këtë do ta bëjë të mundur gazsjellësi në planifikim “East Med”, i cili është paraparë ta derdhë gazin nga Egjipti, Izraeli dhe Qiproja në rrjetin evropian nëpërmjet Greqisë dhe Italisë . “Nga perspektiva e SHBA, Greqia dhe së bashku me të edhe Qiproja si edhe Izraeli janë partnerë të rëndësishëm, kur është fjala për të konsoliduar pozicionin e Shteteve të Bashkuara në Mesdheun lindor”, thotë Harry Tzimitras, nga “Peace Research Institute Oslo“.

Në mars, sic kujton DW, Sekretari Amerikan i Shtetit për çështje të jashtme, Mike Pompeo, u takua me përfaqësues izraelite, greke dhe qipriote për të diskutuar mbi zhvillimin rajonal dhe iniciativat e përbashkëta në fushën e energjisë dhe të sigurisë. Ky takim shërbeu për të dënuar edhe një sinjal mbështetës. Përpos kësaj, është lancuar dhe një nismë për të nxitur bashkëpunimin në sektorin e energjisë mes SHBA-së, Izraelit, Greqisë dhe Qipros. Turqia, mbeti jashtë.

Ankaraja, marrëdhëniet e së cilës me Washingtonin janë ashpërsuar prej disa kohësh, u ndje e përjashtuar, e kjo ia forcoi ndjesinë e izolimit nga burimet potenciale të energjisë dhe impulset ekonomike përkatëse. Zyrtarët në Qipron Veriore këmbëngulin se të ardhurat nga gazi duhet të ndahen mes pjesës greke dhe turke, sepse të dyja pjesët ë ishullit janë trashëgimtare të pasurisë minerare të tij. Por Jugu e lidh këtë me kushtin që të bëhen përparime në negociatat e ribashkimit, e kjo kërkesë, në veri konsiderohet e padrejtë, thotë DW.

Luftën e fundit verbale mes Athinës dhe Ankarasë e nxiti nisja e operacioneve offshore nga anijet turke. Erdogani ka marrë një qëndrim gjithmonë e më të ashpër mbi këtë çështje, e kjo në një kohë kur ekonomia turke është në rënie të lirë dhe kur vetë autoriteti I tij ka pësuar lëkundje, sidomos pas zgjedhjeve lokale. “Asgjë nuk mund të bëhet në Mesdhe pa Turqinë, ne këtë nuk kemi për ta lejuar,” pat deklaruar në muajin shkurt ministri I jashtëm turk Mevlut Cavusoglu. Ky qëndrim duket, nuk ka ndryshuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA