Një sasi amforash të paktën 2500-vjecare janë gjetur në një thellësi 40-60 metra në afërsi të bregdetit shkëmbor të Karaburunit. 22 amforat me grykë të ngushtë dhe dy-mbajtëse u gjetën gjatë kërkimeve të bëra nga anija e kërkimit shkencor ”Hercules” në kuadër të projektit të përbashkët shqiptaro-amerikan të arkeologjisë nënujore.

Sipas arkeologëve të projektit, amforat që përdoreshin për verë dhe vaj besohet të jenë të tipit Korinth A dhe datojnë midis shekujve 7 dhe 5 para erës sonë.

Nëse pranë amforave do të gjenden dhe mbetje të anijes së mbytur së cilës i përkisnin këto objekte, arkeologët mendojnë se do të ishte zbuluar anija më e hershme që ka lundruar përgjatë brigjeve shqiptare.

Sipas Auron Tares, kryetar i Komitetit Shkencor Teknik për Trashëgiminë Nënujore në UNESCO, nëse do të konfirmohet, mbetjet e anijes mund të lidhen me themelimin e dy qyteteve të mëdha në brigjet shqiptare, Dyrrachium (Durresi i sotëm) dhe Apolonia, dy porta të Rrugës Egnatia.

Sipas drejtuesit të projektit James Goold, ky sit konsiderohet një nga zbulimet më të rëndësishme nga perspektiva historike dhe arkeologjike.

Shqipëria po përpiqet të mbrojë dhe përfitojë nga trashëgimia e pasur nënujore duke synuar dhe ndërtimin e një muzeu që do të tërheqë vizitorë të shumtë të huaj e vendas.

Zbulimi ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare si Associated Press dhe New York Times.

Top Channel