Pas Partizanit si e vetmja skuadër shqiptare në raundet eliminatore të Champions League, mbrëmjen e sotme në fushën e blertë do të zbresin tre klube të Superligës.

Ndeshja e parë do të jetë ajo e Teutës me skuadrën Letoneze të Ventspilsit, e cila do të luhet në transfertë në orën 16:45. Skuadra e drejtuar nga Bledi Shkëmbi është konsideruar me fat kur u hodh shorti, megjithatë se sa “bujare” janë treguar goglat këtë do ta tregojë vetëm fusha e blertë.

E vetmja ndeshje që luhet në Shqipëri është ajo mes Laçit dhe skuadrës izraelite të Hapoel Ber Sheva, një sfidë mes të pabarabartësh nëse i referohesh cilësisë së lojtarëve të të dyja skuadrave dhe buxhetit të tyre, të paktën në këtë sezon kur izraelitët e kanë ulur ritmin si në shpenzime edhe në cilësi të ekipit. Gjithsesi për kurbinasit mund të konsiderohet si një kundërshtarë shumë i fortë pavarësisht ndryshimeve te pësuar. Ber Sheva është një skuadër që ka mundur të luaj deri në fazën e grupeve të Europa Leagues ku gjithmonë kujtohet edhe fitorja ndaj Interit. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar fakti se Laçi është tashmë me eksperiencë në kupat e Europës dhe di të bëjë surprizë, sikurse ndodhi me eliminimin e Anorthosis Famagustas sezonin e kaluar. Ndeshja mes Laçit dhe Ber Shevas do të zhvillohet sot në Laç në orën 17:30.

Skuadra e fundit e Superiores që zbret në fushë këtë të enjte është Kukësi, që luan në transfertë me Debrecenin në orën 19:00. Edhe për verilindorët shorti ka rezultuar i vështirë, megjithatë skuadra e Ernest Gjokës ka udhëtuar drejt Hungarisë me besimin se mund t’ia dalë mbanë të shkëpusë një rezultat pozitiv në takimin e parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA