Ka nisur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit seanca e ankimimit për prokurorin Gentian Osmanin, i cili është edhe kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Osmani e kaloi procesin e vetting-ut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por me rekomandim të ONM-së, Komisioneri Publik ka kundërshtuar vendimin në KPA.
Sipas Komisionerit, Osmani gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë
Është një hua 20 mijë euro për të cilën rezulton se ka dokumentacion të pamjaftueshëm për provimin e aftësisë financiare të huadhënësve. Mungon dokumentacioni provues nëse shuma ka ardhur në Shqipëri ‘cash’ apo në rrugë bankare. Komisioneri deklaroi se nuk provohet vërtetësia e kësaj marrëdhënieje huaje.
Trupi gjykues i kësaj çështjeje kryesohet nga Natasha Mulaj dhe anëtarë janë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz. Relatore është Ina Rama.
Nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, përveç Osmanit, janë të ankimuar edhe dy anëtarë të tjerë, Besnik Cami dhe Arben Dollapi. Ndersa një anëtare tjetër, Antoneta Sevdari, ish-prokurore në shkallën e parë, pas konfirmimit në detyrë nga KPK u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Shkarkimi i Sevdarit solli mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Prokurorëve prej nga ku u votua një anëtar tjetër, prokurori i Shkodrës, Vat Staka.
Top Channel