Liria e medias në vend, OSBE publikon raportin ligjor

11/07/2019 18:18

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir ka publikuar sot një shqyrtim ligjor të Projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri.

Ky publikim vjen pas konsultimeve mbi procesin e hartimit me përfaqësuesit e Qeverisë gjatë muajve të fundit. Ai thekson se legjislacioni i ardhshëm duhet të respektojë standardet ndërkombëtare për të mos cënuar lirinë e shprehjes.

Sipas raportit, bllokimi apo pezullimi i botimeve në internet, konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe se një masë e tillë pranohet vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.

Désir mirëpriti faktin se sipas projekt ligjit, ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike nuk janë të detyruara të regjistrohen për të kryer aktivitetet e tyre.

Ai theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave të duhur vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.

Analiza ligjore thotë se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerë i “ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit” nuk duhet të jetë e njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive. Rekomandohet që të përjashtohen ish nga fushëveprimi i këtij projektligji

Përfaqësuesi kujtoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.

Përfaqësuesi vuri në dukje se kompetencat e AMA lidhur me “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.

Përfaqësuesi gjithashtu tregoi se “duhet të krijohet një mekanizëm i duhur i apelimit dhe rishikimit përpara gjyqësorit si mbrojtje për botuesit dhe qytetarët. Në rrethana të tjera, masat e tilla duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë penale. Kompetencat e AMA nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja “.

Për më tepër, shqyrtimi ligjor rekomandon sqarimin e të gjithë procesit të vendimmarrjes së AMA-së me Autoritetet Kombëtare për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, NAECES dhe Organin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, APEC.

“Zyra ime është e gatshme të vazhdojë të japë ndihmë për këtë ligj të rëndësishëm. Është me rëndësi të madhe që procesi i konsultimit publik të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe aktorët e tjerë relevantë vendas dhe ndërkombëtarë të medias “, përfundoi Përfaqësuesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA