Gjatë intervistës në studiot e Top Talk, ish-Presidenti Nishani është shprehur se opozita ka hyrë në fazën e betejës finale, e se do të ketë një radikalizmim akoma më të madh politik të këtij procesi.
“Opozita në gjykimin tim ka hyrë në fazën e betejës finale. Përderisa nuk kemi një proces të përfunduar, nuk mund të themi që dështoi qëllimi i opozitës. Mendoj se do të ketë një radikalizmim akoma më të madh politik të këtij procesi; të përballjes së qytetarëve me këtë që është tashëm që është instaluar si regjim monopartiak. Aksioni politik i opozitës synon rrëzimin e qeverisë e Edi Ramës si kryeministër, jo për shkak të betejës politike por që sot ka edhe një objektiv edhe më të madh që shkon përtej rrëzimit të pushtetit. Ka një vizion më të gjerë opozita sot për të instaluar një mënyrë të re të bërjes së shtetit. Procesi politik nuk ka përfunduar dhe kemi hyrë në një fazë të re”, u shpreh Nishani.
I pyetur gjatë intervistës nëse aksioni politik i ndërmarrë nga opozita, mos po e dëmton PD? Ish-presidenti Nishani, u përgjigj: “Nuk jap një definicion përfundimtar sepse do jetë e ardhmja ajo që do vërtetë nëse PD është dëmtuar, por institucionet formalisht kanë rënë në Shqipëri. Jemi në një regjim anarkist. Nuk ka asnjë lloj mekanizmi që të kontrollojë e të marrë balancat midis shteteve. Disa institucione nuk janë funksionale, disa nuk funksionojnë. Për sa kohë institucionet kanë rënë, opozita nuk mund të jetë në një vend ku ekziston boshllëku. E vetmja vend që i ka mbetur opozitës është rruga dhe ajo ka dalë në rrugë. Nuk është mirë që opozita të jetë në rrugë. Në një sistem normal opozita duhet të jetë brenda institucioneve dhe fakti që ato janë zhbërë dhe për opozitën nuk ka hapësirë. Ky nuk është represion, por çështje asgjësimi. Janë asgjësuar institucionet dhe prej rrugës do të shkojë drejt ribërjes së tyre. Me situatën që ka agravuar deri më sot dhe me atë po ndërton mazhoranca, lëvizja qytetare mund të dalë edhe nga kontrolli i opozitës në një të ardhme të afërt”.
Sipas tij, reagimi qytetar do të tejkalojë edhe menaxhimin politik, apo procedural që opozita mund t’iu bëjë qytetarëve.
“Janë akumuluar aq shumë problematike, që po bëhen shumë agresive. Bëhet fjalë për çështje sociale dhe ekonomike, që opozita nuk mund t’i menaxhojë dot. 85% e qytetarëve shqiptarë nuk janë me këtë qeveri, që do të thotë se 15% nuk mund të sundojë më”, tha Nishani.
Top Channel