Në Butrintit po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ” Butrinti Summer Festival”. Edicioni i 17-të nisi të dielën me Orkestrën e Vajzave të Bukureshtit dhe pjesëmarrjen e rrallë të sopranos Arlinda Morava.

Nata e dytë ngjiti në skenë trupën e Treehouse Storytelling Center të Beogradit me një shfaqje të teatrit fizik; “Vallëzimi i shpirtit” frymëzuar nga trashëgimia etnologjike e popujve të Ballkanit.

Fabula na çon në malësinë e Serbisë aty ku jeta e njerëzve të thjeshtë ka nevojë për mbinatyrshmen, zanat e magjitë për t’ja dalë. Dy vajza mike të dashuruara me të njëjtin djalë dhe përpjekja që dashuria e vërtetë të triumfojë përshkojnë gjithë shfaqjen.

Ishte një pjesë e vështirë me shumë vallëzime dhe interpretim por magjia e këtij teatri dhe dashuria e publikut ishte diçka që nuk e kishim imagjinuar në këtë nivel.

Si pjesë e teatrit fizik pjesa kërkoi ushtrim të gjatë prej aktorëve dhe gjeste që mund të lexoheshin prej publikut. Figurat pa fytyra ishin cilido individ i shoqërisë dhe performanca solli në skenë të mbinatyrshmen, shumë rrethana që qëndrojnë dhe përcaktojmë fatin e njeriut.

Drejtori i Festivalit Alfred Bualoti tha se këtë vit të 6 shfaqjet do të jenë eksperienca krejt të veçanta për publikun pasi ndërthurin shumë zhanre të artit dhe jo thjesht teatrin.

Në skenë pritet të ngjiten trupa e teatrit të Prishtinës me “Karnavalet e Korçës” teatri i Kievit me “Antigonën”, teatri i ushtrisë së Bullgarisë me Otellon dhe teatri i Selanikut me shfaqjen ” Toka u ngjye me të kuqe”.

Top Channel