Deputeti i vetëm në Kuvend që i është bashkuar Bindjes Demokratike, Andi Përmeti, ka qenë i ftuar në Top Talk. Intervista ka nisur me debatin e zhvilluar në Komisionin e Ligjeve, ku raportonte Avokati i Shtetit.
Deputeti Përmeti sqaroi se ka pasur një diskutim për mbrojtjen e bërë në Strasburg nga avokatura e shtetit.
“Sot ka pasur një ngërç, sepse gjatë raportimit të avokaturës së shtetit vumë re se gjyqet e fituar nga shqiptarët në Strasburg varionin në një shumë të madhe, nga të cilat 13,8 milionë euro janë të çështjes Sharxhi kundër Shteti shqiptar . Kjo është një çështje sensitive, pasi pavarësisht se e ka titullin Sharxhi kundër shteti shqiptar, bëhet fjalë për pallatin e vjehrrit të Bashës në Vlorë. Tani shteti shqiptar të humbasë një gjyq prej 14 milionë eurosh në Strasburg, e të mos ketë filluar akoma pagesat, pasi ato pagesa rriten çdo ditë, e do të merren nga taksat. Ky ishte edhe diskutimi në Komisionin e Ligjeve”, u shpreh ai.
I pyetur se kur thotë që është një problem, mendon se është një problem i qëllimshëm, apo ka qenë një neglizhencë që sjell këtë kosto, Andi Përmeti u përgjigj: “Ky ishte edhe shqetësimi në komision. Të gjithë thanë se pavarësisht se avokati aktual i shtetit nuk ka qenë në detyrë në kohën kur është bërë gjyqi, pyetja jonë ka qenë: Na tregoni si është bërë mbrojtja, e kësaj çështje në Strasburg, pasi mbrojta ndoshta ka ceduar që është fituar një shumë kaq e madhe. Ai e kishte jashtë raportimit, por thjesht raportoi për pjesën themelore dhe humbjet. Ky ishte edhe diskutimi me Avokatin e Shtetit.
I pyetur se nëse do të fillojë likujdimi për këtë rast, Përmeti u përgjigj se nuk është në dijeni, pasi i takon Ministrisë së Financave, duke shtuar se “Sot ata janë në përpjekje, që do të thotë se pagesa për këtë rritet çdo ditë”.
Top Channel