Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Kasaforta”, ku është goditur një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së banesave. Burimet zyrtare raportojnë se janë arrestuar në flagrancë 3 persona dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Si u godit grupi kriminal
Rreth orës 19:00 të dy ditëve më parë, policia ka marrë njoftim se në rrugën “Sulejman Pitarka”, është vjedhur banesa e shtetasit Th. Q, ku kanë marrë një kasafortë, brenda së cilës kishte disa bizhuteri të shtrenjta dhe një sasi parash.
Pas hetimeve shërbimet e Policisë të Kom. Pol. nr. 2 organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Kasaforta”, duke bërë të mundur evidentimin, zbulimin dhe goditjen e grupit që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së banesave.
Në pranga kanë rënë shtetasit E. J., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim; A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim dhe shtetasja D. P., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndërkohë është shpallur në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasit K. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja M. Gj., banuese në Tiranë, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Operacioni ka nisur paraditen e datës 07.07.2019 dhe është finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm me arrestimin e personave, si dhe me gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të vjedhura.
Gjetja e provave të policisë
Policia gjetur në lumin Erzen, në afërsi të Shijakut kasafortën që autorët kishin hedhur në lumë për të humbur gjurmët. Gjatë kontrollit të banesave të tyre Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale sendet si më poshtë: 41 ora të ndryshme të markave të shtrenjta, katër çelësa special për hapje dyersh, një automjet me targa AC 525 T, 11 lima për pastrimin e çelësave special, dy leva për hapje dyersh, një sasi monedhash metalike të llojeve të ndryshme, shtatë telefona celular, një elektrik (elektroshok), një sasi bizhuterish të ndryshme.
Prova që grupi kriminal ka vjedhur banesa të tjera
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen edhe si autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit E. Ç., ngjarje e datës 5 prill 2019. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer nga ky grup në vende të ndryshme në Tiranë. Materialet iu dërguan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel