Shfrytëzonte për prostitucion vajzat në ambientet e lokalit në Belsh dhe shpërndante lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë nga policia pronari i lokalit E.Ç., 43 vjeç, si dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 5 shtetase.

Kanë qenë banorët e zonës ata që i dhanë informacion policisë në lidhje me atë që ndodhte në lokalit e 43-vjeçarit.

E.Ç., shfrytëzonte vajza të moshave të ndryshme për prostitucion, ndërkohë që iu siguronte klientëve të tij edhe drogë. Mësohet se vajzat e shfrytëzuara po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Në cilësinë e provave materiale, u sekuestrua 14.7 gramë kokainë, një peshore elektronike, automjeti në pronësi të shtetasit E.Ç., si dhe 6 aparate telefonike celulare.

Gjithashtu ky shtetas nuk ishte i pajisur me kasë fiskale gjatë ushtrimit të aktivitetit në lokal, duke bërë të mundur fshehjen e të ardhurave. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,  “Shfrytëzimi i prostitucionit” , “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, dhe “Fshehja e të ardhurave”, në ngarkim të shtetasit E.Ç.

Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, ose në aplikacionin “Komisariati Dixhital” kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA