Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot intervista me 4 kandidatë për Prokurorinë Speciale Antikorrupsion (SPAK). Intervistat e 4 prokurorëve, Altin Dumani, drejtues i komanduar i Apelit për Krimet e Rënda; Anita Jella, prokurore e Durrësit; Anton Martini, prokuror tek Krimet e Rënda dhe prokurorin Arben Kraja, u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medieve.
Pasi përfundoi procesi i intervistimit për 4 prokurorët, kreu u KLP-s, Gent Ibrahimi tha se kjo fazë nuk mund të bëhet në prani të medieve, por intervistat janë regjistruar nga vetë Këshilli.
“Intervistat janë regjistruar në audio dhe video, sepse ndonjëri nga kandidatët mund të ankimojë vendimin tonë. KLP është e prirur të jetë e hapur. Ajo çka ndodhi sot, në intervista, ishte pjesë e një procesi administrativ, dedikuar shqyrtimit të kandidatëve. Sot konfirmuam gjetjet paraprake të komisionit. Kur të kemi gati relacionet për çdo kandidat, regjistrimet do bëhen në formë publike”, tha Ibrahimi.
Kandidatët janë pyetur lidhje me dosjet e hetuara, pse kanë kandiduar dhe ndër të tjera si e shikojnë të ardhmen e sistemit.
Tre kandidatë për SPAK ende nuk e kanë kaluar procesin e vettingut dhe Ibrahimi tha se nuk përjashtohet rreziku që ndonjëri prej tyre të mos e kalojë.
“KLP merret me profesionalizmin, ndërsa Vettingu me integritetin dhe ka rreziqe që ndonjëri prej tyre të mos e kalojë”, u shpreh kreu i KLP-së.. Më tej, ai shtoi se i gjithë procesi është ndjekur edhe nga ndërkombëtarët.
Top Channel