Fondacioni Shoqëria e Hapur apo siç njihet ndryshe fondacioni “Soros” ka reaguar pas akuzave të hedhura në adresë të themeluesit të tij, miliarderit George Soros nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, duke e akuzuar për ndërhyrje në zhvillimet e brendshme në Shqipëri, kryesisht reformën në drejtësi.
Në një koment publik të pak ditëve më parë, zoti Meta akuzonte zotin Soros, se qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”. Komentet e zotit Meta pasuan mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, të cilat ai i konsideron si të paligjshme.
Por si përgjigje ndaj interesimit të Zërit të Amerikës mbi këto akuza, shefja e zyrës së komunikimit të fondacionit “Soros” me seli në Nju jork, Laura Silber, tha se “Fondacioni Shoqëria e Hapur është krenar për rolin që ka luajtur, krahas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të mbështetur reformën në sistemin gjyqësor në Shqipëri, që është një kërkesë e domosdoshme për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”. Në deklaratën e zonjës Silber thuhet më tej se “karakterizimi që Presidenti Meta i ka bërë kësaj përpjekjeje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me Presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”, shton më tej ajo.
Presidenti Ilir Meta ka akuzuar edhe më parë manjatin e biznesit George Soros për lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. Qëndrimit kritik të zotit Meta iu bashkuan së fundmi në Uashingon edhe disa dhjetra shqiptarë me banim në SHBA. Të dielën (7 korrik) ata protestuan ndaj asaj që e quajtën “ndërhyrje e multimiliaderit George Soros në punët e brendshme të Shqipërisë si dhe kundër kryeministrit Edi Rama”.
“Fondacionet për një Shoqëri të Hapur” janë një rrjet ndërkombëtar organizatash jofitimprurëse, të pavarura, jo qeveritare dhe jo politike që mbështesin financiarisht grupe të shoqërisë civile në sektorë të drejtësisë, arsimit, shëndetit publik dhe shtypit të pavarur në mbarë botën. Në Shqipëri “Fondacioni Soros” e zhvillon aktivitetin që prej vitit 1994./VOA
Top Channel