Masa të reja për mbrojtjen e fëmijëve në internet janë miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave. Të gjithë institucionet private dhe publike, duhet të kryejnë kontrolle për përmbajtjet e dëmshme në internet për përdoruesit nën 18 vjeç.

Shkollat nuk duhet të ofrojnë këtë shërbim për fëmijët nëse verifikohet se ka përmbajtje të dëmshme. Edhe vetë mediet duhet të sigurojnë ndalimin e publikimeve të paligjshme për fëmijë, në të kundërt do të bllokohen.

Çdo subjekt tregtar që ofron shërbim interneti, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të afishojë informacionin se ndalohet hyrja për fëmijët nën moshën 14 vjeç. Ai duhet të jetë i shoqëruar të paktën nga njëri prej prindërve, ose të afërm madhor.

Më pas, prindi duhet të shkruajë një formular që e lejon të qëndrojë në këtë pikë interneti. Në rast se vërehen shkelje, personat dënohen me gjobë nga 40 000 deri në 100 000 lekë, sipas ligjit në fuqi për mbrojtjen e fëmijëve.

“Jemi prindër në moshë kur kemi pasur fëmijët i kufizonim që të shikonin edhe televizor jo me orë të gjata. Ky interneti  më duket se po i dëmton shumë nipërit e mbesat. Se prindi është në punë, por këto qendrat e internetit duhet të kenë një kufizim e do jetë gjë e bukur për çdo njeri”, thotë një e moshuar.

“ Është super! Super! Djali im është 11 vjeç dhe në shtëpi e ka shumë të kontrolluar pjesën e internetit”, shprehet një prind.

Ndërkohë që, ka disa drejtues qendrash interneti që i kanë marrë masat paraprake që me hapjen e biznesit.

“Kishte tentativa për të hyrë në këto faqe, kureshtje por duke parë me eksperiencën pasi kaloi pak kohë nga hapja e aktivitetit u detyrova që ta parandaloj që atëherë duke marr masa. Nëse vjen dikush këtu për të parë një video apo imazh të dëmshëm, nuk mundet sepse në server kam vënë një ‘ADULT FILTER BLOCK’, i  cili nuk të lejon sado të tentosh të hysh në këto faqe. Nuk të jep akses”, thotë administratori i një qendre interneti.

Top Channel