Menjëherë pas ditës së zgjedhjeve , në 1 korrik ka hyrë në fuqi lista e re e barnave që shiten me rimbursim. Edhe këtë vit ajo u miratua me vonesë pasi mori aprovimin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të datës 26 qershor, u botua në fletoren zyrtare të hënën në 1 korrik  për të hyrë menjëherë në fuqi, e të zbatohet në të gjitha farmacitë e vendit.

Në listën e këtij viti  janë shtuar  14 principe aktive dhe forme doza të reja të barnave. Ato lidhen kryesisht me sëmundjet auto-imune dhe sëmundjet  tumorale, të cilat janë barna të shtrenjta .

Buxheti i planifikuar për këtë vit për Fondin e Sigurimeve për Rimbursimin e Barnave është  10.5 miliardë lekë  dhe sipas burimeve të Top Channel ky është tavani limit  dhe nuk duhet tejkaluar . Çka do të thotë se mjekët e familjes sërish këtë vit do të jenë në presion për të mos dhënë barna me rimbursim më shumë se fondi i përcaktuar, pasi në rast të kundërt ndëshkohen me gjobë.

Ndërkohë që janë hequr  disa barna nga lista e rimburismit  me arsyen  e revokimit  të autorizimit për tregtim si Amoxicilinë, fluvatatinë.

Nga ana tjetër janë zgjidhur mosmarrëveshjet që  pati ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe depove farmaceutike, të cilët  paralajmëruan se nuk do të lidhnin  kontratë  me fondin për vitin 2019,  duke vënë në rrezik furnizimin me barna të tregut farmaceutik . Menjëherë pas këtij paralajmërimi Ministrja  e Shëndetësisë i ka thirrur në takim, ku ka dakortësuar me përfaqësitë depot farmaceutike për të mos i penalizuar ata në rast se  ka mungesa të barnave  në treg apo vonesa të furnizimit. Për këtë përgjegjësia bie mbi mbajtësin e autorizimit për tregtim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA