Është Holanda skuadra që do të sfidojë superfuqinë e futbollit të femrave, SHBA, në finalen e Botërorit që po zhvillohet në Francë, një sfidë kjo që vë përballë kampionet e Evropës me ato të Botës.

Skuadra e Tulipanëve eliminoi në gjysmëfinale Suedinë teksa e mundi me rezultatin 1-0 në kohën shtesë, duke i ringjallur skuadrës nordike kujtimin e hidhur të finales së vitit 2003, kur në kohë shtesë humbi ndaj Gjermanisë.

Koha e rregullt e sfidës u mbyll me rezultatin 0-0 por emocionet në të ishin të pakta. Rastet më të mira për shënim u panë në pjesën e dytë. Fillimisht ishte Suedia ajo që iu afrua golit me Fischer që u ndal nga shtylla, më pas i erdhi radha Miedemas të rrezikojë për Holandën teksa goditi traversën e portës suedeze

Për të gjetur golin që  i jep biletën për në finalen e Kupës së Botës, Holandës iu desh të priste minutën e 99 kur Gronen me një gjuajtje nga jashtë zone mposhti portieren suedeze Lindhal. Pas këtij goli, për Holandën u bë më e lehtë për të administruar rezultatin duke e mbajtur vazhdimisht topin në zotërim në minutat e mbetura.

Pas  fërshëllimës së fundit, e gjithë festa ishte për holandezet që në pjesëmarrjen e tyre të dytë në një botëror u kualifikuan në finalen e evenimentit duke vijuar suksesin e 2017 kur u shpallën kampione të Evropës.

 

Top Channel