Brazili fiton Superklasiken me Argjentinën dhe kalon në finalen e Copa America, diçka që i mungonte nga viti 2007.

Seleçao arriti t’iu imponohej rivalëve argjentinas duke i mundur me rezultatin 2-0 dhe këtë e bëri në Belo Horizonte, në stadiumin Mineirao ku në Botërorin e 2014 u shkatërrua nga Gjermania 7-1 në gjysmëfinale.

Në këtë ndeshje që u transmetua drejtpërdrejt nga paketa Supersport në Digitalb, Brazili e mori avantazhin në minutën e 19 pas një aksioni të bukur të finalizuar nga Gabriel Jesus. Argjentina pati shansin më të mirë për të barazuar me Agueron gjuajtja me kokë e të cilit  u ndal nga traversa.

Fati i keq ndoqi Argjentinën edhe në pjesën e dytë kur gjuajtja e Lionel Messit u përplas në shtyllën e portës së mbrojtur nga Alisson. 20 minuta nga fundi i ndeshjes erdhi dhe goditja përfundimtare e Brazilit që shënoi golin e dytë me Firminon.

Pas  këtij goli, nuk pati shumë gjëra për t’u shënuar dhe Brazili preu biletën për në finalen e shumëpritur të Copa America, ndërkohë që Messit dhe Argjentinës i duhet të presë vitin tjetër për të tentuar sërish fitoren në turneun kontinental. Tani skuadra 5 herë kampione e botës do të presë fituesen e gjysmëfinales tjetër ku përballë do të jenë Kili dhe Peruja, edhe kjo një sfidë që do të transferohet në Supersport.

Top Channel