Faza gjysmëfinale e Copa America hapet me superklasiken e Amerikës mes Brazilit dhe Argjentinës, një sfidë kjo që padyshim do të transmetohet drejtpërdrejt në paketën Supersport të Digitalb në 02:30 me orën evropiane.

Në Belo Horizonte do të vihen përballë dy skuadra që së bashku kanë mundur të fitojnë 7 tituj botërorë dhe që janë rivale të përjetshme në fushën e lojës. Ndërkaq, Brazili e ka fituar një përballje ndaj Argjentinës, atë të kostos së lojtarëve. Futbollistët e Seleçaos kanë një vlerë në merkato prej 970 milionë Eurosh kundrejt 650 milionëve të Argjentinës.

Për sa i përket aspektit sportiv, Brazili do të jetë pa Neymar që u dëmtua në kavilje duke u detyrua të braktisë këtë edicion të Copa America, por trajnerit Tite nuk i mungojnë alternativat dhe së fundmi sulmi i është besuar Coutinhos, Firminos, Gabriel Jesus apo Everton.

Kurse te Argjentina të gjithë i kanë sytë nga Lionel Messi. Kapiteni i bardhekaltërve e ka pranuar vetë se paraqitja e tij në këtë kompeticion nuk ka qenë shumë e mirë dhe tani të gjithë presin që përballë rivalëve të Brazilit ai të shfaqë versionin më të mirë të tij, atë të Barcelonës. 32 vjeçari do të përballet me një makth, Alisson Becker që në dy sezonet e fundit ka qenë protagonist në eliminimet e bujshme të Barcelonës e Messit në Ligën e Kampioneve me Romën dhe Liverpoolin.

Për  më tepër Alisson  nuk ka pësuar gol në 8 ndeshjet e fundit me përfaqësuesen dhe The Reds dhe kjo e bën Brazilin akoma më favorit për të fituar këtë ndeshje e për të kaluar në finalen e Copa America.

Top Channel