Nis Wimbledon/ Eliminim surprizë i Osakës dhe Zverev

02/07/2019 17:00

Turneu legjendar i “Wimbledonit”, në Londër ka nisur me surpriza.

U eliminua në raundin e parë numri 1 i renditjes botërore për femra, Naomi Osaka që u befasua nga tenistja nga Kazakistani, Yulia Putintseva me rezultatin 2-0. Putintseva fitoi setin e parë me “tie break” 7-6, ndërsa në të dytin dominoi totalisht duke e fituar 6-2.

Surprizë e këndshme ishte fitorja e adoleshentes Cori Gauff që mundi Venus Williams 2-0 me sete 6-4 dhe 6-4 duke vendosur një rekord, pasi në moshën 15 vjecare ajo bëhet tenistja më e re që fiton një ndeshje, në turneun Grand Slam, të Wimbledonit.

Nuk pati shumë probleme në ndeshjen e saj ndaj Sasnovich, numri 7 i turneut, Simona Halep që u kualifikua për në raundin e dytë të Wimbledonit. Tenistja rumune iu imponua asaj bjelloruse duke e fituar sfidën 2-0 me sete 6-4 dhe 7-5.

Në kampin e meshkujve, Novak Djokovic e nis me një fitore relativisht të lehtë mbrojtjen e titullit në Wimbledon. numri 1 i botës eliminoi në raundin e parë Phillip Kohlschreiber me rezultatin 3-0 me sete 6-3;7-5 dhe 6-3, në një ndeshje që zgjati 2 orë e 3 minuta.

Por edhe te meshkujt u regjistruan rezultate surprizë në ditën e parë të Wimbledonit, siç ishte eliminimi i Alexander Zverev nga çeku Jiri Vesely me rezultatin 3-1. Vesely fitoi setin e parë 6-4, ndërsa Zverev të dytin 6-3. Ceku u rishfaq superior në dy setet e tjerë që i fitoi 6-2; 7-5.

Top Channel