Një prej gjysmëfinaleve të Copa Americas është superklasikja mes Brazilit dhe Argjentinës.
Kjo e fundit iu bashkua rivalëve të përjetshëm mes 4 më të mirave të turneut pasi mundi Venezuelën 2-0, në një ndeshje që ashtu si të gjithë përballjet e tjera u transmetua në paketën Supersport të Digitalb.
Edhe pse nuk mrekulloi shumë me lojën e saj, skuadra bardhekaltër arriti t’i imponohej Venezuelës që i bëri përpjekjet e saj për të rivalizuar në fushën e lojës. Lautaro Martinez në minutën e 10 i dha avantazhin skuadrës së trajnerit Scaloni me një gol të shënuar me thembër, ndërkohë që goditjen përfundimtare e dha Lo Celso që përfitoi nga një gabim i portierit të Venezuelës për të fiksuar rezultatin në 2-0 dhe për të prenotuar super sfidën e shumëpritur me Brazilin.
Në gjysmëfinale kaloi edhe skuadra kampione në fuqi e Amerikës së Jugut, Kili që eliminoi Kolumbinë pas serisë së gjuajtjeve të 11 metërshave. 90 minutëshi i kohës së rregullt të kësaj sfide u mbyll me rezultatin 0-0, ndërkohë që rolin e protagonistit e mori sistemi VAR që i anuloi dy gola Kilit për pozicion jashtë loje.
Rastet e shënimit nuk munguan sidomos nga ana e skuadrës kiliane, por në fund ekipet u detyruan t’i nënshtrohen lotarisë së 11 metërshave. Në këtë pikë, i vetmi që nuk i rezistoi presioni ishte kolumbiani Tesillo që e gaboi gjuajtjen e tij, ndërkohë që te Kili të gjithë u treguan të saktë, me Alexis Sanchez që vulosi festën e kilianëve për kalimin në gjysmëfinale.
Top Channel