Guardiola në Katalonje/ Herët apo vonë kthehem te Barça

28/06/2019 17:23

Për momentin me futbollin spanjoll e lidh vetëm merkatoja dhe interesimi për lojtarët kryesorë në “La Liga”, por në të ardhmen Pep Guardiola do të rikthehet në kampionatin ku shkëlqeu si lojtar dhe trajner.

Tekniku i Mancester Sitit që fitoi titullin në Angli muajin e kaluar, ka vënë në alarm drejtuesit e Sitizens duke pranuar se po mendon rikthimin te Barça.
Spanjolli ka ende dy vjet të mbetur në kontratën me skuadrën e Etihad Stedium, me të cilën arriti një sukses historik sezonin e kaluar me 3 trofe në Angli. Por në një event të zhvilluar në fondacionin Johan Krojf, la hije për të ardhmen.

“Do të rikthehem te Barcelona herët apo vonë por nëse prisni të bëhem president, harrojeni këtë. Po përpiqem të jem trajner i mirë dhe nuk më ka ecur keq në dekadën e fundit. Por të jesh president i një klubi, duhen njohuri dhe eksperienca që nuk i kam”, është shprehur Josep Guardiola, Trajner i Manchester City.

Pep Guardiola e nisi karrierën si trajner te ekipi i dytë i Barçës, para se të promovohej në vitin 2008 në skuadrën e parë, me të cilën krijoi një dinasti fituese.

Top Channel