Copa America që po zhvillohet në Brazil ngre siparin e fazës çerekfinale të kompeticionit. Të parët që do të zbresin në fushën e lojës janë Brazili dhe Paraguai që do të përballen në sfidën mes tyre në Porto Alegre me synimin për të blerë biletën për në gjysmëfinale të kompeticionit.

Për të tretin edicion radhazi këto dy skuadra luajnë kundër njëra-tjetrës në çerekfinale të Copa America pas atyre në 2011 dhe 2015 dhe Brazili ka kujtime të hidhura pasi në të dy rastet e mëparshme është eliminuar.

Për këtë ndeshje, Brazili nuk do të bëjë ndryshime të mëdha në krahasim me ndeshjen e luajtur ndaj Perusë. Risia në këtë pikë  është aktivizimi i Alan në vend të Casemiros që është i shkualifikuar, ndërkohë që sulmi do të përbëhet nga Coutinho, Gabriel Jesus dhe Everton.

Për sa i përket Paraguait, ai do të bëjë ndryshime në skemën taktike. Trajneri Berizzo do të kalojë nga sistemi 4-2-3-1 në 4-4-2 për të pasur një formacion më solid dhe luftues në mesfushë. Brazili dhe Paraguai kanë luajtur mes tyre 79 ndeshje me Brazilin që ka 47 fitore kundrejt 11 të Paraguait ndërkohë që 21 sfida janë mbyllur në barazimi. Bilanci flet për Brazilin edhe përsa u përket golavarazhit; 173 gola të shënuar e 66 të pësuar. Sfida mes Brazilit dhe Paraguait do të luhet në 02:30 me orën evropiane dhe do të transmetohet në paketën Supersport të Digitalb ashtu sikurse edhe ndeshjet e tjera çerekfinale Venezuelë-Argjentinë, Kolumbi-Kili dhe Uruguaj-Peru.

Top Channel