Turistët e shumtë që pushojnë në bregdetin shqiptar do të kenë mundësinë këtë verë të njihen edhe me Shqipërinë e harruar të fillim-shekullit XX dhe realitetet e saj.
Mbrëmjen e kaluar u çel në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit ekspozita fotografike “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezve”.
Në fotot e shkrepura gjatë administrimit të vendit nga austro-hungarezët janë fiksuar aspekte të ndryshme ekonomiko-shoqërore shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore, periudhë kur vendi përballej me mjerimin, problemet e tij të brendshme dhe luftën për të mbrojtur të drejtat kombëtare dhe territoret e tij.
Kjo ekspozitë lëvizëse që përmban 60 fotografi të realizuara në vitet 1916-1918 nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë do të qëndrojë e hapur dy javë në Durrës për të udhëtuar më pas në të tjera qytete bregdetare të vendit.
Top Channel