SHBA dhe Suedia janë dy skuadrat e radhës që presin biletën për në cerekfinale të Botërorit të Futbollit të Femrave që po zhvillohet në Francë.
Skuadra kampione e botës në fuqi mundi me shumë vështirësi Spanjën që luante për herë të dytë në një Kupë bote, me rezultatin 2-1 dhe në cerekfinale do të luajë më Francën.
Ndeshja filloi mjaft mirë për skuadrën amerikane që fitoi një 11 metërsh në minutën e 7 të sfidës. Kapitenia Megan Rapinoe u tregua e saktë nga pika e bardhë dhe shënoi golin e parë për SHBA. Por avantazhi i kampioneve zgjati vetëm 2 minuta, pasi Spanja përfitoi nga një gabim në mbrojtje i tyre dhe barazoi me Jenni Hermoson.
Skuadra iberike ka meritën që ishte e vendosur mirë në fushën e lojës dhe arriti të bllokojë mjaft mirë rrezikun kryesor të skuadrës amerikane Alex Morgan. Në pjesën e dytë, spanja arriti të vërë në vështirësi manovrën e skuadrës së SHBA, madje pati mundësi edhe të shënojë golin e fdytë.
Por në momentin më të mirë të spanjolleve, SHBA fitoi një tjetër 11 metërsh që edhe këtë radhë u ekzekutua saktë nga Rapinoe duke vulosur fitoren 2-1 të amerikaneve që do të kërkojnë të mbrojnë titullin botëror.
Ndërsa Suedia preu biletën për në cerekfinale pasi mundi Kanadanë me rezultatin 1-0. Heroina e sfidës për skuadrën nordike u bë Blackstenius me golin e shënuar në minutën e 10 të pjesës së dytë, që ishte edhe goli i fitores së kësaj skuadre. Në cerekfinale, Suedia do të luajë kundër Gjermanisë, sfidë kjo që do të luhet të shtunën në Rennes
Top Channel