Legjenda Mick Jagger rikthehet në skenë pas operacionit në zemër

22/06/2019 14:20

Grupi legjendar britanik i rokut, Rolling Stones çeli në Chicago turneun e tij të shtyrë në Amerikën e Veriut, e kjo vetëm disa muaj pas Mick Jagger iu nënshtrua një ndërhyrjeje në zemër.

Jagger, 75-vjeç, shfaqi në skenë të njëjtën energji që e ka karakterizuar këtë personazh të jashtëzakonshëm përgjatë gjithë karrierës së tij. Por edhe pjesëtarët e tjerë të grupit, nuk mbeteshin pas.

Fansat e kaluan një moment frike në muajin prill, kur “The Stones” të krijuar në 1962-shin, njoftuan shtyrjen e turneut për shkak të sëmundjes së Jaggerit.

Mjekët i bënë një zëvendësim jo invaziv të valvulës së aortës, duke shmangur një operacion më të rëndë. Artisti i njohur për festat e shfrenuara, ka tetë fëmijë, 5 nipër e mbesa dhe një stërmbesë, por e ka mbajtur gjithmonë plot axhendën e tij në skenë për dekada të tëra.

Turneu aktual i Stones-ave, që fillimisht ishte parashikuar të mbahej nga prilli në qershor, përfshin 17 koncerte në 15 stadiume anë e kënd Amerikës së Veriut, ndërsa pikën kulmore do të mbërrijë në Miami, në 31 gusht.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta