Athina dhe Nikosia kanë kërkuar nga Samiti i Këshillit Europian adoptimin e masave kundër Turqisë, për sa i përket hyrjes së paligjshme të anijeve të saj që kryejnë kërkime për gaz natyror, në zonën ekskluzive të Qipros.
“Turqia duhet të ndalojë menjëherë shkeljen e të Drejtës Ndërkombëtare dhe të veprimeve të paligjshme brenda zonës ekonomike ekskluzive të Qipros sepse duke shkelur sovranitetin e Qipros shkel atë europian”, është shprehur Aleksis Tsipras.
Në Athinë janë mirëpritur masat e KE ,ndërkohë që Ministri grek i Mbrojtjes ka deklaruar se nëse Turqia do të zhvillojë të njëjtat akte në zonën ekskluzive greke pranë ishullit Kastelorizo, atëherë flota ushtarake greke nuk do të rrijë duarkryq.
Kryeministri Tsipras bashkë me Presidentin qipriot, Nikos Anastasiadhis kanë kërkuar ndihmën e BE dhe vendet anëtare janë solidarizuar menjëherë duke shpallur masa të përcaktuara kundër Turqisë.
“Ajo çfarë po bën Turqia në ujërat territoriale të Qipros është tërësisht e papranueshme. Komisioni është thirrur të propozojë masa që do merren sa më shpejt të jetë e mundur, për sa i përket këtij konflikti dhe do ti zbatojë dhe nuk do të jenë masa të lehta”, ka thënë Presidenti i KE-së, Jean Clode Juncker.
“Ka një rëndësi të veçantë për mua aleanca që arritëm për Qipron ,sa i përket hyrjes së paligjshme të anijeve turke në zonën ekonomike ekskluzive të Qipros”, është shprehur Presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Nga ana e saj Ankaraja kundërshton qëndrimin e Athinës dhe të shteteve të BE-së si dhe pretendon se ka të drejtën e kërkimit dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore në ZEE, përreth Qipros, pjesën veriore të së cilës e ka pushtuar në vitin 1974 dhe prej atëherë kjo pjesë funksionon e ndarë nga shteti qipriot dhe njihet vetëm nga Turqia.
Duke parë se pala turke po çon edhe një anije të dytë kërkimi në perëndim të Qipros ,pavarësisht paralajmërimeve të Parisit dhe Uashingtonit, që mbrojnë dhe interesat e kompanive të tyre, të cilat shfrytëzojnë hidrokarburet e zonës, Athina ka ngritur shkallën e gatishmërisë luftarake dhe gjendja në Egje vazhdon të mbetet tepër e tensionuar, madje ka vlerësime se mund të ketë edhe incidente.
Top Channel