Ky është monumenti që u vendos në Podujevë vetëm 5 kilometra nga pika kufitare e “Merdarit“ mes Kosovës dhe Serbisë.
Shqiponja e lartë rreth 9 metra e lartë u realizua me inisiativën e aktivistit Florian Hasani dhe të xhaxhait të tij Muhamet Hasani. Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast në ditën e çlirimit të Podujevës fjalën e nderit e mbajti gazetari i Top Channel, Marin Mema.
Ai e vuri theksin tek fakti se ky monument përfaqëson sakrificat dhe vuajtjet e shqiptarëve, por në të njëjtën kohë duhet të përfaqësojë edhe të ardhmen e tyre. E kjo është një nga sfidat sipas tij më të vështira.
“Trevat, trojet shqiptare janë të pasura, por për fat të keq dhe kjo është e vërtetë dhe ne e dimë të gjithë pasuritë e trojeve shqiptare, grabiten, masakrohen, dhunohen. E ne sot po na ikin të gjithë të rinjtë nga trojet shqiptare e kjo është e pafalshme. Prandaj ne sot duhet të dimë të gjithë bashkë të ndërtojmë të ardhmen tonë sepse kaluam luftën, kaluam sakrifica qëndruam në këmbë dhe ky monument është pikërisht simbol që ne jemi këtu në këmbë, por tashmë vërtetë duhet të dimë të përballojmë një sakrificë tjetër të ndërtojmë të ardhmen tonë“ është shprehur Marin Mema.
Para banorëve të shumtë, foli edhe Rustem Mustafa, i njohur me gjerësisht si komandant Remi një nder drejtuesit e lartë të UCK gjatë luftës së Kosovës.
“Në fund shekullin e kaluar zoti e dhuroi për shqiptarët tri shkronjat e arta të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Të gjithë të mbledhur tok rreth saj, kush me armë e kush me ndihmë, ne nuk lejuam ndarje në atë kohë nuk lejojmë as sot në rrugëtimin tonë për liri“ është shprehur Rustem Mustafa.
Në përfundim familjarët e dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Shaban Shala, Adem Demacit dhe të ftuarit e nderit, Marin Mema e Rustem Mustafa hoqën pëlhurën duke i dhënë kështu Podujevës dhe të gjithë krahinës së Llapit këtë monument historik të lirisë. Vlen për tu përmendur se në ceremoni edhe pse të ftuar munguan nuk dihet se pse përfaqësuesit e ambasadës shqiptare në Prishtinë.
Top Channel