Për dallim nga viti 2015, gjatë së cilit mijëra qytetarë nga Kosova u drejtuan rrugëve ilegale për të dalë në vendet e BE-së, sot zgjedhin largimin rrugët legale përmes Agjencive të Punësimit.
Pjesa më e prekur nga kjo dëshirë janë të rinjtë dhe të rejat, që kanë përfunduar studimet universitare dhe që nuk kanë mundur të gjejnë një vend pune. Andaj Gjermaninë e shohin si vend i mundësive për të punuar në fushat e mjekësisë, hotelerisë, turizmit, teknologjisë dhe punës fizike.
Miranda Kastrati është vetëm 24 vjeçe dhe tashmë ka nisur procedurat për të ikur nga Kosova. Në shkollën e mesme, Miranda ka studiuar infermieri të përgjithshme, ndërsa në studimet bachelor për shkenca kompjuterike. Por, vështirësitë për të gjetur një vend pune kanë bërë që ajo t’i jap drejtim tjetër jetës.
“Nuk kam mundur që të gjej punë sepse kudo që kam aplikuar ka qenë e nevojshme përvoja e punës. Përvojë nuk kam pasur sepse më është dashur që të përqendrohem më shumë në universitet”, thotë Miranda Kastrati, studente
Puna me të cilën planifikon të hyjë në tregun gjerman është infermieria.“Gjermania ka një nevojë shumë të madhe për infermierë, e kam parë të arsyeshme që të filloj punë si infermiere dhe më pas pasi të kaloj disa vite, të ndërroj profesion dhe të filloj profesionin për të cilin kam bërë edhe fakultetin”, tregon studentja.
\Ndërsa, mikja e saj me të përfunduar shkollën e mesme të lartë nuk ka tentuar më tepër.
“Qëllimi im ka qenë që të studioj mjekësinë e përgjithshme , prandaj dhe nuk shikoj ndonjë lloj presepktive në Kosovë. Mendoj se atje do e gjej veten më mirë, pasi Gjermania është shteti i mundësive dhe shpresoj që të jetë edhe realizimi i ëndrrës time”, tha e reja Hyrishahe Hoti.
Numri i të rinjve që po u drejtohen agjencive për punësim jashtë vendit po shënon rritje çdo vit. Kërkesat më të mëdha nga Gjermania për të marrë punëtorë nga Kosova janë bërë për fushat e mjekësisë, hotelerisë, turizmit, teknologjisë dhe punës fizike.
“Vërejmë që ka një interesim shumë të madh, që është disa mijëra studentë. Në afatin e kaluar kemi pasur tek më shumë se 2 mijë aplikime, përreth 120 vende. Dhe dje vetëm sa u hap aplikimi i ri kemi më shumë se 50 aplikime ditore. Afati është rreth 15 ditë dhe kjo më lë të kuptoj se do të kemi më shuam se 3 mijë aplikime kësaj radhe”, tha Musa Ahmeti, drejtori i agjencisë për punësim jashtë vendit. Numri i qytetarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së gjatë 2018-ës është 3500. Ndërsa nga vitet 2013-2017, më shumë se 170 mijë qytetarë nga Kosova kanë emigruar në formë të rregullt dhe përmes rrugëve ilegale.
Top Channel