Mbështetës të opozitës janë duke u përpjekur, që prej mëngjesit, për të marrë nën kontroll ambientet e KZAZ-ve. Përplasjet midis protestuesve dhe policisë janë përqendruar vetëm në ato bashki që drejtohen nga kryebashkiakët e PD dhe LSI, pas urdhrit të tyre për KQZ-në që të lirojnë ambientet. Këto bashki kanë njohur dekretin e Presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.
Qarku Korçë
Në Devoll ka qenë një automjet i tipit ‘BMW’ që ka bllokuar rrugën ku ndodhet KZAZ-ja. Drejtuesi i mjetit është përplasur me policinë pas kërkesës së efektivëve për të liruar rrugën.
Në Bilisht mbështetësit e opozitës janë mbledhur përpara qendrës së KZAZ-së. Ata kanë hedhur shishe dhe sende të tjera drejt qendrës dhe më pas janë larguar. Nuk raportohet për persona të lënduar.
Situatë më e tensionuar paraqitet në Pogradec, aty ku protestuesit janë përpjekur të marrin në kontroll ambientet e KZAZ-së. I pranishëm është edhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili ka debatuar me drejtuesit e policisë. Protestuesit janë zbrapsur nga policia, ndërkohë që situata vijon të jetë e tensionuar.
Qarku Mat
Situatë e rënduar raportohet edhe në Burrel, ku policia ka përdor gaz lotsjellës ndaj protestuesve që kërkuan të marrin nën kontroll ambientet e KZAZ-së 16. Në mbështetje të policisë lokale kanë mbërritur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga përplasja ka patur disa të lënduar.
Video/ Me fraktura në kokë, plagoset vëllai i kreut të PD-së në Burrel
Pranë KZAZ-së nr.17 në bashkinë e Klosit raportohet gjithashtu për situatë të tensionuar. Pas përplasjes me policinë, protestuesit kanë thyer kompjuterat dhe kanë djegur materialet zgjedhore.
Qarku Tiranë
Edhe në Kamëz ka patur përplasje midis protestuesve dhe policisë. Efektivët kanë përdorur sprai me piper për të shpërndarë turmën që tentoi marrjen nën kontroll të KZAZ-së. Nga përplasja raportohet se kanë mbetur të plagosur tre policë dhe një qytetar.
Në Kavajë ka patur tensione që në mëngjes ku protestuesit kanë kërkuar lirimin e ambienteve të KZAZ. Burime për Top Channel bëjnë me dije se protesutesit do të grumbullohen sërish në orën 20:00 në qendër të Kavajës, për të kërkuar sërish lirimin e KZAZ-së.
Frika nga përplasja dhe zjarri, mësuesit në Kavajë tërheqin dosjet me dokumenta
Qarku Gjirokastër
Nënkryetari i bashkisë Gjirokastër është paraqitur pranë KZAZ-së 78 për të kërkuar lirimin e objektit. Kreu i KZAZ-së ka kërkuar që në mëngjes mbrojtjen nga policia dhe për momentin nuk raportohet për tensione.
Qarku Berat
Pas rreth 1 orë përplasjesh, në KZAZ-në e Skraparit është shpërndarë turma që ndodhej brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës. Burimet në vendngjarje konfirmojnë se nuk ka pasur të lënduar dhe se turma ka thyer xhamat e KZAZ. Forca të shumta të policisë dhe FNSH-së ka shpërndarë turmën e mbledhur përpara KZAZ Skrapar. Si pasojë e përplasjeve, një polic ka mbetur i plagosur.
Shpërndahen opozitarët që tentuan të hyjnë me forcë brenda KZAZ 64 në Berat. Pas një ore qëndresë nga ana e policisë, përfaqësuesi i PD-së, Eno Bozdo shpërndau turmën e protestuesve. Gjatë protestës u hodhën edhe tymuese.
Qarku Fier
Bashkia e Mallakastrës i ka dërguar kërkesë Presidencës, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme për lirimin e ambienteve ku janë depozituar materialet zhgjedhore. KZAZ 61 Mallakastër është spostuar në palestren e shkollës së mesme “Dervish Hekali”, për arsye rikonstruksioni të kinemasë së qytetit. Kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj paralajmëron tensionim të situatës në rast se materialet zgjedhore nuk do të largohen nga ambientet ku janë vendosur.
Qarku Lezhë
Në Lezhë është policia bashkiake që kërkon informacion nëse janë liruar KZAZ 12 dhe 13.
Qarku Kukës
Pas disa momente tensionesh në Kukës, Policia me një marrëveshje me drejtues të bashkisë së këtij qyteti kanë rënë dakord që të largojë materialet e KZAZ. Aktualisht nuk raportohet për përplasje në Kukës.
Top Channel