Në mini-serialin amerikan “Chernobyl”, Oleksiy Ananenko përshëndetet si njeri prej tre njerëzve që ndihmuan në shmangien e një tragjedie akoma edhe më të madhe pas aksidentit më të rende nuklear në histori.
Sot, Ananenko që jeton në një apartament modest me një dhomë e kuzhinë në periferi të Kievit, këmbëngul se nuk ka bërë asgjë heroike.
“Nuk jam ndjerë kurrë si hero. Thjesht bëra punën time”, thotë I.
59-vjeçari pati marrë pjesë në një operacion të rrezikshëm të zhvilluar fill pas katastrofës së Çernobilit për të drenuar ujin nga pjesa poshtë stacionit atomik me qëllimin të shmangej një shpërthim tjetër.
Në njërin prej episodeve më dramatikë të miniserialit të HBO-së, aktorët që interpretojnë Ananenkon dhe dy inxhinierë të tjerë, Valeriy Bespalov dhe Boris Baranov, shfaqen duke kaluar mes vështirësish nëpër korridoret e përmbytur për të zbrazur rezervuarin e ujit të ndodhur tre metra poshtë reaktorit që digjej.
Nga sa tregohet në film, tre burrat dolën vullnetarë për misionin që mund të rezultonte praktikisht vetëvrasës për ta, por që do të parandalonte ndoshta “miliona” vdekje.
Ananenko tregon ndërkohë me sinqeritet se iu bind urdhrave edhe pse nuk ishin informuar siç duhet për rreziqet e vërteta me të cilat përballeshin.
“Me urdhëruan të shkoja dhe shkova. Nuk pata frikë”, tregon Oleksiy Ananenko.
Ai nuk di ta thotë se çfarë niveli rrezatimi tërhoqi trupi i tij, por shton se nuk duhet te ketë qene shumë i lartë, nisur nga fakti që pas misionit, nuk pati probleme serioze shëndeti.
Top Channel