Luftë për pankinën e Prishtinës, rikonfirmohet Josa

14/06/2019 19:17

Përballë zërave për ndryshime në hierarkinë teknike dhe në vigjiljen e impenjimit të kësaj vere në kupat kontinentale, skuadra e futbollit të Prishtinës ka preferuar të dalë publikisht për të qetësuar situatën.

Në ditët e fundit u përfol gjithmonë e më shumë emërimi i trajnerit Skënder Gega, por formacioni kryeqytetas që militon në Superligën e Kosovës, mohoi gjithçka.

Prishtina ka rikonfirmuar në stol trajnerin Mirel Josa, me të cilin luftoi për titullin kampion deri në javën e fundit, edhe pse në finalen e sezonit, në fron u ul Feronikeli.

Ekipi kosovar kërkoi nga mediat dhe opinioni publik të mos trazojnë situatën në prag të impenjimit në kompeticionet kontinentale.

Trajneri Josa dhe futbollistët, me qetësinë optimale janë duke i bërë përgatitjet e duhura në fazën përgatitore në Pejë për ndeshjet e rëndësishme në Europa Ligë.

Top Channel