Jemi të bindur se republika e Maqedonisë së Veriut do t’i nisë negociatat me BE-në gjatë këtij viti, deklaroi kryeministri maqedonas Zoran Zaev pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin.
Por Zaev shtoi se shefja e ekzekutivit gjerman e ka bërë të qartë që Bundestagu do ta marrë në shtator vendimin për t’i dhënë dritën jeshile çeljes se bisedimeve të anëtarësimit për Shkupin, ne pajtim, siç tha ai, me procedurat e Gjermanisë për çështjen e zgjerimit të Unionit.
“Në takim kancelarja Merkel theksoi se Maqedonia Veriore i ka plotësuar pritshmëritë dhe se Berlini, këtë e sheh si mjaft pozitive”, ka shkruar Zaev në Facebook.
Disa ditë më parë më parë, Merkel, sipas Süddeutsche Zeitung e refuzoi kërkesën e Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe pohimet e Zaevit e vërtetojnë një skenar të tillë.
Me këtë qëndrim, ajo doli hapur kundër partnerit të koalicionit, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE në 18 qershor.
Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, socialdemokrati Michael Roth është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit dhe ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.
Top Channel