Pas miratimit të rezolutës në Parlament nga mazhoranca dhe opozita kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, Presidenca ka dalë në një konferencë për të sqaruar edhe njëherë vendimin.
Këshilltari për Mediat, Tedi Blushi dhe këshilltari për Çështjet Ligjore, Bledar Dervishaj kanë shprehur keqardhje për retorikën e drejtuesve të mazhorancës, të cilën e kanë konsideruar edhe si toksike. Presidenca thekson se shfuqizimi i 30 qershorit është i detyrushëm për të gjithë aktorët politikë.
“Presidenti vlerëson se kjo retorikë, ndonjëherë edhe toksike, nuk i shërben aspak as zgjidhjes së krizës dhe as paqes sociale në vend. Preisdneti deklaron edhe njëherë se dekreti për shfuqizimin e dekretit të 30 qershorit është një akt që është marrë në mbështetje të plotë të dispozitave të Kushtetutës. Ai është në fuqi dhe është i detyrueshëm për të gjithë”, u shpreh Dervishaj.
Sipas Dervishajt, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetutese nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit të presidentit. Gjithsesi, ai shtoi se çdo subjekt politik që ka pretendime të tjera mund t’i çojë ato në çdo gjykatë që mendon se mund të shqyrtojë çështjen.
“Çdo subjekt politik që nuk është dakord është i lirë që të ngrejë pretendimet e tij në Gjykatën Kushtetuese apo në çdo gjykatë tjetër të çdo niveli që ai gjykon se mund të shqyrtojë pretendimin”, tha Dervishaj.
Ai shtoi se edhe KQZ është e detyruar të zbatojë dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit dhe çdo anashkalim i detyrave është i palejueshëm nga ligji.
Në lidhje me caktimin e një date të re për zgjedhjet lokale, Bledar Dervishaj theksoi se presidenti ka nisur një proces të gjerë konsultimi. I pyetur nëse ftesa do i dërgohet edhe Partisë Socialiste, ai nuk pranoi të jepte një konfirmim, por tha se procesi është në zhvillim.
Dervishaj sqaroi se edhe kryebashkiakët aktual do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë pas 30 qershorit, deri në momentin kur të betohen kryebashkiakët e rinj.
Me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime u miratua pasditen e sotme në Parlament rezoluta kundër vendimit të presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.
Ndër të tjera në rezolutën e miratuar me votat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe disa prej deputetëve të ‘opozitës së re’ thuhet: “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.”
Top Channel