Në pamundësi për ta ndjekur ndeshjen Bullgari- Kosovë direkt nga stadiumi, tifozët e kombëtares kosovare zgjedhin ambientet e hapura.

E pavarësisht barazimit nga loja e fundit me Malin e Zi, interesimi dhe shpresa nuk mungon.

Ata besojnë se me formacionin e realizuar nga Berndard Challandes, me sulmuesit Rashica, Zhegrova, Muriqi e Celina mund të shënojnë fitoren ndaj Bullgarisë.

Pjesa e parë e ndeshjes filloi mirë për Kosovën me golin e shënuar nga sulmuesi Milot Rashica në minutën e 14-të por pas 29 minutave bullgari, Ivelin Popov shënoi për të barazuar në minutën e 43-të.

Goli i dytë i shënuar nga bullgarët, heshti dardanët, por në 25 minutat e fundit çdo gjë ndryshoi.

Sulmuesi i Rizespor-it në Turqi, Vedat Muriqi shënoi golin e barazimit. E për befasi u përkujdes zëvendësuesi Elbasan Rashani i cili shënoi golin e fitores ne minutat shtesë të ndeshjes, duke përmbyllur rezultatin 2 me 3 për Kosovën.

Festa nuk mbaroi me kaq. Rrugët e kryeqytetit morën pamje tjetër nga tifozeria që festonin fitoren e parë në kualifikimet zyrtare të Kampionatit Evropian.

Pas tri takimeve, Kosova ka 5 pikë duke lënë prapa kombëtaret si Bullgaria dhe Mali i zi, ndërkaq e sheh veten vetëm një pikë prapa gjiganteve si Anglia dhe Republika Ceke.

Top Channel