Pavarësisht zhvillimeve në politikë, ku presidenti Meta ka çdekretuar datën e zgjedhjeve duke i hapur rrugë shtyrjes së zgjedhjeve, kandidati i Partisë se Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj u ka dërguar një letër të personalizuar familjeve të Tiranës, ku i kërkon ta votojnë në 30 qershor .
“E dashur familje e Tiranës sonë! Me shumë përulësi më lejoni t’ju falënderoj për besimin dhe ndihmën tuaj në transformimin e Kryeqytetit në këto 4 vite të paharruara. Të gjithë së bashku, me punë, arritëm t’ia ndryshojmë faqen kryeqendrës së gjithë Shqipërisë! Sot Tirana gëlon: Nga sheshi “Skënderbej”, tek “Bulevardi i Ri”, “Pazari i Ri”, tek “Amfiteatri i Liqenit”, “Parku Olimpik”, “Reja” – qyteti është plot e përplot me aktivitete e energji. Sot Tirana numëron 44 kënde lojërash, 5 shkolla të reja dhe 17 të tjera të nisura, kopshte e çerdhe publike të rikonstruktuara, të cilat nuk janë më objekte turpi, por shtëpiza krenare për të vegjlit, të cilët rriten shëndetshëm”, shkruhet në letër.
Në letër Veliaj thekson se falë punëve të bëra, Tirana sot konsiderohet nga guidat turistike si një ndër qytetet me energjikë të Ballkanit. “Në këto vite në Tiranë, është ndërhyre në çdo lagje të saj,- thekson Veliaj,- ndërkohe që ka shumë punë të bëra dhe i duhet një mandat i dytë” .Ndaj i kujton sërish 30 qershorin
“ Kemi ende shumë e shumë punë për të bërë! Tirana vetëm sa e ka nisur rrugën e saj të shkëlqimit. Ambicia ime dhe e skuadrës që drejtoj shkon shumë më larg transformimit të deritanishëm. Ashtu si edhe ju, unë dua të punoj dhe të rris familjen time në një qytet edhe më të pastër e modern, me mundësi për çdo fëmijë, të ri e të rritur. Prandaj, më 30 Qershor do t’ia dalim vetëm nëse bashkohemi të gjithë me votën tonë, si më e çmuara dhuratë për jetën e familjeve tona dhe gjithë qytetit. Mezi pres të nisim së bashku një tjetër 4-vjeçar”, e mbyll letrën kreu i Bashkisë së Tiranës.
Top Channel