E kthyer tashmë në një traditë të bukur finalja e edicionit të katërt të “Tirana Art Fest”, ku të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës shfaqën talentet e tyre në kërcim, këngë dhe multimedia, dhuroi spektakël në sheshin “Skënderbej”.

Gjate natës finale u ndanë çmimet për disiplinat këngë, kërcim dhe multimedia ku të rinjtë garuan. Ne multimedia për temën ‘Tirana në 24 orë’ çmimi i parë shkoi për gjimnazistët e New York High School, çmimi i dytë për Xhesika Lleshin nga gjimnazi “Qemal Stafa”, çmimi i tretë për gjimnazistët e “Sami Frashërit”.

Ndërsa për temën “Tirana në kujtimet e familjes sime”, fituese u shpall Grejsi Rudi me punën e saj frymëzim, nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi” dhe çmimi i dytë shkoi për gjimnazistët e “Sami Frashërit” me punën ‘reflektim kujtimesh’.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë ndarjes së çmimeve përshëndeti të rinjtë pjesëmarrës në këtë edicion.

“Kemi dashur që sheshin ‘Skënderbej’ t’ia dedikojmë çunave dhe gocave të supertalentuar të gjimnazeve të Tiranës, që meritojnë duartrokitje, mbështetje, edhe gjithë inkurajimin tonë”, tha Veliaj.

Veliaj uroi edhe brezin e gjimnazistëve maturantë që shume shpejt nisin rrugëtimin e ri të jetës.

“Unë e di që sot të jesh një gjimnazist ka shumë ngarkesë, ka shumë detyra që duhen bërë, shumë kurse që duhen ndjekur, por siç themi ne në bashki, ai ose ajo që është e mirë, i bën të gjitha. Del mirë edhe me mësime, edhe në sport, edhe në shoqëri, dhe si do shohim sot, edhe me spektakël. Dua t’ju uroj shumë sukses atyre që kanë provimet e maturës, jam shumë krenar për ju”, tha Veliaj.

Top Channel