Teksa e cilëson si një akt të paprecedentë dhe anti-kushtetues dekretin e Metës për shtyrjen e zgjedhjeve, Partia Socialiste ka njoftuar se të enjten në Kuvend do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.
Në studion e Top Talk ka qenë i ftuar Ulsi Manja, që ka folur pikërisht për këtë çështje. Ai u shpreh se Presidenti Meta ka shkelur nenin 90 të Kushtetutës dhe të enjten do të kërko përmes mekanizmit të hetimit Parlamentar të fillojë procedura për shkeljen e nenit 90 të Kushtetutës.
“Një akt i njëanshëm dhe që tregon se Meta është bërë palë me opozitën. Në vlerësimin tim. Çdo akt juridik që anashkalon Kushtetutën e vendit nuk çon ujë në qetësimin e situatës politike, por cenojnë rendë stabilitetin e politikës në vend. Zgjedhjet nuk janë tagër e partive, por garanci e qytetarëve për të drejtën për të zgjedhur. Presidenti mohoi pritshmëritë e ligjshme dhe kushtetuese të njerëzve për të votuar. Të enjten, Kuvendi do të zhvillojë një seancë me debat dhe në përfundim të saj do të ketë edhe miratimin e një rezolute, ku Kuvendi do të kërkojë nga organet publike garantimin e zhvillimit të procesit zgjedhor për në 30 qershor. dhe sigurisht do të kërkojë përmes mekanizmit të hetimit Parlamentar të nisë një procedurë për shkeljen e nenit 90 të Kushtetutës”, u shpreh Ulsi Manja.
Por kur shkarkohet Presidenti? “Presidenti i Republikës shkarkohet kur ka shkelur Kushtetuën dhe kur kryen një krim të rëndë. Ne mendojmë se marrja në mënyrë të dhunshme e një kompetence që nuk ta jep Kushtetuta, nuk e di se çfarë mund të shkelë më tepër. Pas zhvillimit të mocionit me debat, rezoluta që do të miratojë Kuvendi do t’i hapë rrugë edhe zbatimit të nenit 112 të rregullores”, sqaron Manja.
I pyetur se a i arrin mazhoranca votat e nevojshme për të shkarkuar Presidentin e Republikës? Ulsi Manja u përgjigj: “Ne si mazhorancë do ta ndërmarrim si veprim, por edhe grupet e tjera Parlamentare nuk kanë arsye përse të mos e votojnë. Nëse qëllimi final është garantimi i rendit Kushtetues dhe i Republikës, besoj se të gjithë do i bashkohen kësaj nisme”, u shpreh Manja.
Por instanca e fundit që deklaron shkarkimin e Presidentit, ose jo, është Gjykata Kushtetuese. Në situatën ku ndodhet sot Gjykata Kushtetuese është jofunksionale, e në studion e Top Talk, Ulsi Manja u pyet se si do të veprohet në këtë rast.
Ai shpjegoi se brenda korrikut, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mund të përfundojë renditjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Çka i hap përfundimisht rrugë krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Brenda këtij sesioni parlamentar Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mund të përfundojë renditjen e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Edhe nëse Presidenti nuk do t’i dekretojë, ligji e parashikon që pas tejkalimit të afatit 30 ditor, i pari i renditur në listë bëhet anëtar i Gjykatës Kushtetues, edhe kështu me radhë”, tha ai.
Top Channel