Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj e ka konsideruar absurd vendimin e kreut të shtetit për të anuluar datën e zgjedhjeve.

Sipas tij, ky vendim shkon në kundërshtim me qëndrimin që mbajtën SHBA-të një ditë më parë.

“Kjo që ndodhi, nuk e kanë me ne, se ne ua kemi dhënë rezultatin, i rrahëm në 2013-tën, i mundëm në 2015-tën, disfatë për ta në 2017-tën, rezultat spektakolar do të jetë 30 Qershori i 2019-tës. Por, kur e kanë inatin me Amerikën, çfarë do presim tani? Ndonjë dekret që t’i hapim luftë Amerikës? Se budallallëku mund të mos ketë fund. Më Shqipëri themi: “Hapi rrugë budallait”. Pyetja ime është pse? Pse duhet me i hap rrugë budallait? Cili komb ka ecur përpara se i ka hapur rrugë budallenjve? Cila shoqëri ka përparuar se i hap rrugë budallenjve? Cili shtet, cili qytet është bërë përsëmbari se i hap rrugë budallenjve?”, tha Veliaj.

Madje, ai tha se SHBA-të i kanë hequr vizën Sali Berishës dhe Petrit Vasilit, pikërisht për t’i përcjellë mesazhin krerëve të opozitës që të kenë kujdes dhe të mos prekin institucionet demokratike dhe zgjedhjet. “Amerika ia ka hequr vizën Saliut dhe Petrit Vasilit, e morën vesh të gjithë, dhe sigurisht ia kanë hequr vizën numrave 2, që të zënë mend numrat 1 të partisë, duke i dhënë edhe atyre një shans të fundit. Por që dy pleq të marrë i kanë marrë zvarrë partitë e tyre, kjo dihej”, u shpreh Veliaj.

Duke u ndalur te protesta e opozitës, ai theksoi se ajo bëhet për interesa të një grushti njerëzish, që duan pushtet dhe se ata që mbushin bulevardin për të goditur kryeministrinë nuk kanë asnjë problem ekonomik apo se vuajnë varfërinë. Ai solli në vëmendje faktin se pikërisht ditën e protestës, parkingjet publike nëntokësore dhe ato nëpër rrugët e Tiranës mbushen me makina të shtrenjta të atyre që vijnë për të protestuar dhe shkatërruar Tiranën.

“Këta që kishin ardhur për protestë, të gjithë drejtorët e Bashkive të tyre, e kishin mbushur parkingun e sheshit Skënderbej si autosallon, si ekspozitor makinash më të shtrenjta të republikës. S’íshte mbushur ndonjëherë parkingu i sheshit Skënderbej plot. Këta flasin për varfëri dhe vijnë në protestë me Maserati. Flasin për varfëri dhe vijnë në protestë me Lamborghini. Këta flasin për varfëri dhe vijnë në protestë me Mybach. Këta flasin për varfëri dhe kur ai thotë ndizni smartphone-t janë të gjithë me iPhone 8 dhe me Samsung Galaxy. Me kë tallen këta? Me këto dekrete, e me këto sekrete, e me këto çudira? E sigurt që me popullin nuk tallen dot më. Populli e ka ndarë mendjen dhe ne do të vazhdojmë rrugën tonë”, theksoi Veliaj.

Gjithashtu, ai solli në vëmendje se drejtuesit e opozitës përpiqen të mashtrojnë popullin se betejën e bëjnë në emër të tyre dhe për varfërinë, ndërkohë që vet jetojnë në luks.

“Sot pashë Fatmir Mediun dhe Gerd Bogdanin, në business class për varfërinë. Ka parë njeri opozitë të tillë? Po këta po të donin varfërinë, s’ka nevojë të protestojnë. Hajde në Këshill Bashkiak voto pagesën për ndihmën ekonomike”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA