Ndotja nga plastika përbën një kërcënim të madh për ekosistemet detare për shkak të ndikimeve të shumta në mjedis, ekonomi, siguri dhe shëndet. Tashmë, makro dhe mikroplastikat janë kthyer në një problem global.

“Të gjitha diskutimet për mbrojtjen e mjedisit prej tyre janë shumë të nxehta, pasi dhe alternativat për zëvendësimin e tyre nuk janë shumë eficente. Makro-plastikat përdoren gjerësisht në jetën e përditshme dhe një pjesë e tyre mjerisht përfundojnë në det ku dhe degradohen. Produktet e degradimit të tyre quhen mikro-plastika të cilat shkojnë në biotën e detit. Ato fundrojnë në sedimente dhe shërbejnë si ushqim për organizma të ndryshëm detarë”, tha Prof.Dr. Magdalena Cara, pedagoge, UBT

Edhe pse peshku dhe prodhimet e tjera të detit janë ndër ushqimet më të rekomanduara për vlerat ushqyese, përmes tyre njerëzit po konsumojnë plastikë.

“Një pjesë e mirë e peshqve i marrin këto mikroplastika në të cilat gjenden edhe disa substanca siç janë bifenilet e klorinuara, hidrokarburet aromatike, si dhe pesticidet. Në stomakun e peshkut ato çlirohen dhe absorbohen nga yndyrat dhe tërthorazi ne ato i marrim përmes ushqimeve të përditshme”,  argumenton Cara.

Duket thuajse e pamundur që njeriu t’i shpëtojë plastikës dhe ndikimit të saj në mjedis e shëndet, po sipas specialistes është detyrë e institucioneve përkatëse që të kryejnë kontrollin e pranisë së elementeve të dëmshme që përcillen te njeriu përmes konsumimit të peshkut dhe të ndalojnë hedhjen e tyre në treg.

“Kujdesi ynë qëndron në kontrollet që duhet t’u bëhen nga institucionet përkatëse pesticideve dhe elementeve të tjera që ndodhen në këto organizma detarë”, përfundon ekspertja.

Ndotja nga plastika është një fenomen shqetësues mbarëbotëror ndaj shumë shkencëtarë janë orientuar drejt studimeve që përcaktojnë nivelet e ndotjes në biotën detare dhe mënyrave për reduktimin e pasojave të tyre.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA