Një kontenier me pesticide kineze për Shqipërinë është bllokuar nga autoritetet holandeze në portin e Roterdamit. Kontenieri u bllokua 3 ditë më parë nga Autoriteti Holandez i Ushqimit dhe Sigurisë së Produkteve të Konsumit në bashkëpunim me doganën holandeze.
Ngarkesa me pesticide u konstatua gjatë një inspektimi kufitar që autoritetet kryejnë për të shmangur hyrjen e ngarkesave të paligjshme përmes kontenierëve në zonën jashtë BE-së.
Ngarkesa me pesticidet kineze është blerë nga një kompani shqiptare që merret me import-exportin dhe tregtinë e medikamenteve veterinare. Referuar deklaratave të dyshimta të shitësit, Nutrivet BV, një kompani holandeze, se në Shqipëri nuk bëhet regjistrim i këtyre pesticideve, po dhe të blerësit se në Shqipëri nuk ka detyrim ligjor për regjistrimin e biocideve, përfaqësuesi i Autoritetit Holandez të Ushqimit dhe Sigurisë kontaktoi autoritetet shqiptare duke tërhequr vëmendjen se në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, por edhe në shumë vende të treta pesticidet duhet të testohen që të jenë të sigurta për njerëzit, kafshët, bimët dhe kështu me radhë.
Dhe vetëm nëse pesticidet janë mjaftueshëm të sigurta atëherë bëhet regjistrimi i produktit nga autoriteti përkatës,në shumicën e rasteve Ministria e Bujqësisë, Ministria e Shëndetësisë ose Shërbimi Fitosanitar. Biocidet që përmban ngarkesa për Shqipërinë kanë emrat: Cypermethrin 100 G / L EC, Deltamethrin 50 G / L EC dhe Amitraz 125 G / L EC dhe asnjëra prej tyre nuk është e regjistruar. Pala hollandeze kërkoi informacion nëse lejohet importi i këtyre pesticideve kineze në Shqipëri dhe përdorimi i tyre nga fermerët shqiptarë.
Menjëherë kanë reaguar ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik që informuan palën holandeze se asnjë nga produktet kineze të destinuara për në Shqipëri nuk është e autorizuar të hyjë në tregun shqiptar e të përdoret në shëndetin publik. Në bazë të legjislacionit shqiptar, të gjitha produktet që tregtohen ose përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë i nënshtrohen procedurës së regjistrimit dhe se regjistrohen vetëm produktet të cilat janë të regjistruara më parë në një nga vendet e BE-së.
Top Channel