Finalja e edicionit të parë të Ligës së Kombeve në futboll do të diskutohet mes Holandës dhe Portugalisë.

Pas luzitanëve, që prenë biletën më herët, ndeshja e fundit e turneut të parë të këtij formati të krijuar nga UEFA vendosi gjithashtu edhe ekipin e “tulipanëve”, që mundi 3-1 Anglinë në stadiumin “Alfonso Henriques” në qytetin Guimaraes.

Por, për të zbuluar finalistin e dytë u deshën plot 120 minuta lojë.

Vetëm gjysmë ore mbizotëroi barazpesha në impiantin që mban emrin e Mbretit të parë të Portugalisë. De Ligt shkaktoi penallti në zonën e Holandës, duke i dhënë mundësinë Anglisë që të merrte epërsinë. Nga pika e bardhë, Marcus Rashford mundi portierin Cillessen.

Por, talenti në ikje i Ajaksit e korrigjoi shpejt gabimin, duke barazuar me kokë në fraksionin e dytë pas një goditjeje këndi nga Memphis Depay. Për të vendosur finalistin nuk mjaftoi koha e rregullt dhe arbitri Turpin akordoi kohët shtesë.

Pikërisht këtu, “tulipanët” dhanë më të mirën duke shënuar dy herë. Në fillim formacioni i trajnerit Kuman mori epërsinë me një gol me shumë fat, që detyroi Kyle Walker të shënonte në portën e tij. E ndërsa sfida i afrohej fundit, Quincy Promes firmosi edhe rrjetën e tretë dhe suksesin e merituar të “portokallinjve”.

Tani, më 9 qershor në stadiumin e Portos, idhujt vendas të frymëzuar nga Cristiano Ronaldo do të diskutojnë trofeun me Holandën.

Top Channel