Telenovela “Neymar” pasurohet me një episod të ri. Modelja braziliane, Najila Trindade, nëpërmjet një interviste në media konfirmoi versionin e saj të ngjarjeve, në lidhje me akuzat për përdhunim ndaj futbollistit të Paris Saint-Germain.

“Dua drejtësi. Ai më lëndoi shumë dhe unë jamë shumë e traumatizuar. Dua që ai të paguajë për atë çfarë bëri. Doja të isha me Neymar, gjithçka po shkonte shumë mirë dhe mesazhet ishin të këndshme. Por kur shkova atje, ai ishte agresiv, krejt ndryshe nga personi që njoha nëpërmjet mesazheve”, tha Najila Trindade, paditësja e Neymarit.

Sipas Trindades, gjithçka mund të kishte ndodhur ndryshe pa këtë skandal, duke shtuar se nuk ndiente nevojën për të marrë parà nga futbollisti. Në intervistën e saj, modelja 26-vjeçare theksoi se nuk do ta ekspozonte kurrë veten e saj në këtë mënyrë.

Ndërkohë, në orët e fundit është publikuar një tjetër video e Neymarit me Trindaden, në një dhomë hoteli në Paris, me modelen që në një moment filloi ta sulmojë duke e akuzuar se e kishte gjuajtur një ditë më parë.

Por, telasheve ligjore të Neymarit iu shtohen edhe ato sportive. Sulmuesi brazilian pësoi një dëmtim në kaviljen e djathtë gjatë miqësores së Brazilit me Katarin, e fituar nga “Seleçao” 2-0, duke e lënë para kohe fushën e lojës mes lotëve. Ekzaminimet mjekësore flasin për një ndrydhje të kaviljes e dëmtim të ligamenteve, që do të thotë se Neymar do të humbasë “Copa America”, që do të nisë pas 8 ditësh.

Top Channel