Toronto kthen në favorin e tij faktorin fushë në përballjen me Golden State, në finalen e madhe të NBA-së. Skuadra kanadeze mposhti “Warriors”-at në “Oracle Arena” me rezultatin 123-109, në ndeshjen e tretë me të, duke marrë kryesimin në 2-1.

Golden State ishte pa Kevin Durant e Klay Thompson në parket, kështu që gjithçka iu besua Stephen Curry. Ky i fundit zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë, teksa e mbylli sfidën me 47 pikë personale, por kjo nuk i mjaftoi skuadrës kampione në fuqi, që nuk pësonte humbje në parketin e saj në finalen e madhe të NBA-së që nga viti 2016.

Në këtë ndeshje, Toronto ishte superiore ndaj Golden State gjatë të gjithë kohës, ku për kalifornianët i vetmi luftëtar në parket u duk se ishte pikërisht Curry, por pavarësisht përpjekjeve të tij, këtë radhë mungesat e Durant e Thompson u ndienë si kurrë më parë te të besuarit e Steve Kerr.

Kanadezët e kontrolluan pa probleme këtë ndeshje, ku protagonisti i madh për këtë skuadër u bë Leonard, me 30 pikë të shënuara, 9 topa në tabelë dhe 6 asiste, edhe pse nuk ishte në gjendjen më të mirë fizike. Një paraqitje të mirë fizike bëri edhe Kyle Lowry, me 23 pikë, 9 asiste dhe 4 topa në tabelë, ndërkohë që dysha Green-Siakam e mbyllën sfidën me 36 pikë së bashku.

Ndeshja e katërt do të luhet sërish në “Oracle Arena”, e për Golden State është e domosdoshme që të fitojë për të mos kompromentuar edhe më shumë pozitat e saj në këto finale të NBA-së.

Top Channel