Nga Parlamenti serb jemi mësuar të dëgjojmë fjalime të ashpra për Kosovën, të ngarkuara me nacionalizma. Por, ka edhe deputetë si Cedomir Jovanoviç që flasin për paqe me Kosovën.

Në seancën e 27 majit, ku u diskutua për Kosovën, në praninë e presidentit Aleksandar Vuçiç dhe radikalit Vojislav Sheshel, deputeti i opozitës tha se nëse Serbia nuk do ta ndihmojë Kosovën të bëhet shtet, ajo do të bashkohet me Shqipërinë.

“Nuk mund të humbet në Kosovë, ajo që e kemi humbur një herë. Sado e rëndë të jetë, nuk mundet. Por, thuajeni atë që patjetër duhet thënë. Ne në Kosovë mund të fitojmë atë që asnjëherë si popull nuk e kemi pasur. Paqe president! Paqe mund të fitojmë”, është shprehur Jovanoviç.

Ai ka vijuar më tej duke thënë se populli shqiptar është i fundit në Ballkan që luftoi për çlirim kombëtar, për shtet. Madje e bëri këtë me gjak. “Na nevojitet paqe me shqiptarët, por edhe paqe me veten tonë”, shton ai.

“Nëse nuk ndihmojnë Kosovën të bëhet shtet normal, do të bashkohet me Shqipërinë. Pastaj do të hapet problemi i Maqedonisë, i Malit të Zi, i veriut të Greqisë. Ai popull duhet patjetër të ketë shtetin e vet. Gjejeni kompromisin, por në atë kompromis nuk mund të kenë vend politikat e vjetra dhe nuk mund të ketë asnjë mirëkuptim për idetë humbëse, që na kanë sjellë në këtë situatë”, ka thënë Jovanoviç.

Cedomir Jovanoviç, deputet i Partisë Liberal Demokrate, ka qenë gjithnjë pro dialogut dhe paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e njihet për një gjuhë të moderuar dhe proeuropiane.

“Provoni të jeni burrështeti. Burri i shtetit sheh nga e ardhmja, politikanët flasin për të shkuarën. Na hapni perspektivën e paqes. Merruni vesh me shqiptarët. Por, thoni atë që për ne është thelbësore: vetëm paqja na nevojitet. Jo territori, jo komuna”, është shprehur Jovanoviç në apelin e tij drejtuar Vuçiçit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA