Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të mërkurën se në demokraci sikurse edhe në shtetet autoritare, udhëheqësit që synojnë konsolidimin e pushtetit, po gjejnë mënyra të reja për të shtypur gazetarinë e pavarur.

Në raportin mbi “Liritë dhe mediet në vitin 2019”, thuhet mes tjerash se udhëheqësit antidemokratik në demokracitë e brishta, kanë provuar të trembin mediet duke përdorur mjete ekonomike, ligjore dhe joligjore për të heshtur gazetarët kritik dhe për të forcuar mediet ‘miqësore’.

Raporti thekson ndikimin botëror të retorikës kundër medieve të përdorur nga presidenti amerikan Donald Trump. Gazetarët gjithandej në botë kanë më pas arsye të besojnë se Uashingtoni do t’u vijë në ndihmë nëse shkelen të drejtat e tyre themelore.

Sipas të dhënave të Freedom House, liria e medies është përkeqësuar në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, me forma të reja të shtypjes që zbatohen si në shoqëritë e hapura edhe në shtetet autoritare.

Trendi është më i shprehur në Evropë, më parë një fortesë e lirive dhe në Euro-Azi e në Lindjen e Mesme, ku janë të përqendruara shumë nga diktaturat më të mëdha në botë.

Në disa prej demokracive më me ndikim në botë, thuhet në raport, shtresa të mëdha të popullsisë nuk marrin më lajme dhe informacione të paanshme. Kjo nuk ndodhë se gazetarët janë futur në burg, siç mund të ndodhë në shtetet autoritare. Në vend të kësaj, thuhet në raport, mediet kanë rënë pre e përpjekjeve për të mbytur pavarësinë e tyre. Metodat e zakonshme përfshijnë mes tjerash edhe trysninë ligjore e financiare, çështjet e pronësisë dhe denoncimet publike të gazetarëve të ndershëm. Qeveritë gjithashtu kanë ofruar mbështetje për mediet ‘miqësore’ përmes masave të tilla si kontrata shtetërore fitimprurëse, vendime të favorshme rregullatore dhe qasje preferenciale në informacionin shtetëror. Qëllimi është që shtypja t’u shërbejë atyre që janë në pushtet në vend të publikut, thuhet aty.

Në raport përmenden qeveria e Viktor Orbánit në Hngari dhe adminisrata e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që kanë arritur “sukses” në heshtjen e gazetarisë kritike. Të dy udhëheqësit, thuhet në raport kanë përqendruar pronësinë mbi mediet, në duart e miqve të tyre.

Të dyja këto vende kanë nga 2 pikë në një matje nga 0 deri ne 4 ku rezultati 0, përfaqëson shkallën më të vogël të lirisë dhe ai 4, shkallën më të lartë të lirisë.

Shqipëria dhe Kosova, po ashtu kanë nga 2 pikë sikurse edhe të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA