Kreu i qeverisë vizitoi këtë të mërkurë, banorët e prekur nga tërmeti i 1 qershorit në fshatrat Floq e Qafëzesë të Korçës, ku përsëriti premtimin për rindërtimin e banesave.
“Kjo është një e keqe që do sjellë të mirën e vet, se ne do t’i rindërtojmë të gjitha shtëpitë dhe sigurisht që do jenë edhe më mirë se sa ishin dhe do t’ju kompensojmë me dëmet çfarë ka brenda, që mund të jetë dëmtuar”, tha Rama.
Rama shtoi se plani për ndërhyrjen është bërë gati.
“Kemi bërë atë bilancin e parë të të gjithë dëmeve dhe ndërkohë kemi bërë gati dhe planin e ndërhyrjes, kështu që besoj që shumë shpejt do fillojmë të bëjmë ndërhyrjet në mënyrë që brenda periudhës së verës të kemi zgjidhur të gjithë problematikën dhe e patjetër me fillimin vjeshtës ju të jeni nëpër shtëpi e të mos rrini më jashtë”, tha ai.
Nga tërmeti i 1 qershorit, fshati Floq është më i prekuri, ku 75 shtëpi janë të pa banueshme dhe rreth 100 të tjera, kanë dëmtime të lehta.
Top Channel