Idrizi pranon në Top Talk se ekziston një lloj kompleksi për t’u ulur me Ramën në bisedime

04/06/2019 15:53

Shpëtim Idrizi Kryetar i PDIU-së ishte sot në Top Talk për të folur për aktualitetin politik dhe aksionin e opozitës kur jemi vigjilje të protestës së 8 kombëtare të saj, të shtunën më 8 Qershor.

Zoti Idrizi tha se dinamika politike dhe e pazakontë që po kalon vendi në të gjithë komponentët e tij, bën që opozita të fokusohet tek kjo krizë e pazakontë.

Sipas tij, zemërimi i njerëzve është shumë i madh sepse kriza nuk ka ardhur nga hiçi. Kreu I PDIU-së, tha se nga pikëpamja njerëzore, të ulesh me Edi Ramën në tryezë është kompleks. Pavarësisht kësaj, ai tha se në tryezën e negociatave duhet të ulen të gjitha partitë politike, në mënyrë që të dilet në një platformë të shëndoshë.

“Nga pikëpamja njerëzore qëndron kompleksi për tu ulur në tryezë me Edi Ramën, por ne besoj që e dimë të gjithë bashkë se sa kemi vuajtur nga një marrëveshje kulisash dhe e mbyllur. Kështu u bënë ndryshimet Kushtetuese në vitin 2008. U ulën dy liderët, u bën siç deshën. Të ulesh për të zgjidhur krizën me një platformë, ku të jenë të gjitha forcat politike, është shumë më e shëndoshe për demokracinë, sesa kur ulen dy veta në një dhomë dhe pas tre orësh nxjerrin ndonjë çudi”, tha Idrizi, duke shtuar se në demokraci zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje për shfryrë krizën politike dhe që mund të verifikojnë mazhorancën e sjellin një pozicion të ri të forcave politike por edhe të demokracisë së vendit.

Sipas tij çdo opsion tjetër, është një aventurë e radhës. “Nëse dikush mendon se do të shkojë në Qershor i vetëm në zgjedhje, ju kujtoj që Shqipëria e ka fituar pluralizmin politik në vitin 1991 dhe mund të jetë i vetmi vend në botë që mund të bëjë zgjedhje i vetëm, si sistemet autoritariste, apo diktatoriale. Kjo është atmosfera, në të cilën po zhvillohen këto protesta të mëdha”, argumentoi kreu i PDIU-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA