Kryeministri italian Giuseppe Conte ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen, duke u kërkuar dy partive anëtare në koalicion t’u japin fund njëherë e mirë përplasjeve, ose ta çojnë vendin sërish në zgjedhje.
Conte, një lider teknokrat pa një bazë mbështetëse politike, doli në një konferencë për shtyp për të dhënë ultimatumin jo të zakontë, pas muajsh përplasjeje në koalicionin e tij njëvjeçar të përbërë nga populistët e krahut të djathtë dhe ligjvënësit antiestablishment.
“Unë dua të bëj një gjë të qartë, unë nuk do të përpiqem të qëndroj me çdo kusht në këtë pallat. Nëse anëtarët e koalicionit nuk marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, siç kam kërkuar, unë do t’i dorëzoj mandatin tim Presidentit të Republikës”, tha Giuseppe Conte, kryeministër i Italisë.
“Lega Nord” dhe “Lëvizja 5 yjet” po përplasen tani për çdo gjë, që nga projektet e rëndësishme të infrastrukturës dhe emigracioni, e deri te domethënia e pushimeve kombëtare historike dhe se kush duhet fajësuar për aksidentin me anijen kroçerë në Venecia gjatë fundjavës.
Përplasja u intensifikua pas zgjedhjeve parlamentare europiane muajin e shkuar, ku “Lega” mori 34 për qind. Conte u tha gazetarëve se qeveria e tij përballej me një proces të ndërlikuar të miratimit të buxhetit për vitin 2020, më vonë këtë vit, se vendit i duhet besimi i tregjeve financiare.
Gjatë përplasjeve të fundit në koalicion, investitorët kanë shitur bonot italiane, duke shtuar shqetësimet për aftësinë e Romës për të menaxhuar borxhin e saj publik prej rreth 2.3 trilionë eurosh. Italia përballet edhe me mundësinë e procedurave disiplinore të BE-së këtë javë, për shkeljen e rregullave fiskale të Bashkimit Europian.
Top Channel