Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump takohet këtë të martë me kryeministren në largim të Britanisë së Madhe, Theresa May. Ai ndodhet për një vizitë treditore shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, vizitë kjo që u prit me protesta në disa qytete të ishullit.
Të hënën në mbrëmje, Trump ishte i ftuari i Mbretëreshës Elizabeth II, në një darkë shtetërore në “Buckingham Palace”, ku lavdëroi – siç tha, – miqësinë e përjetshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne jemi të nderuar që jemi të ftuarit tuaj në këtë vizitë historike. Falemnderit për mikpritjen dhe miqësinë thuajse 7 dekadëshe të Madhërisë suaj me Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.
Mbretëresha Elizabeth II, ndërkohë, tha se dy vendet kremtojnë aleancën që ka garantuar sigurinë dhe prosperitetin e dy popujve për dekada.
“Ne shohim nga e ardhmja dhe jam e bindur se vlerat dhe interesat tona të përbashkëta do të vazhdojnë të na bashkojmë. Sot ne festojmë një aleancë që ka ndihmuar të garantojë sigurinë dhe prosperitetin për popujt tanë për dekada, e që unë besoj se do të zgjasë edhe për shumë vite në vijim”, tha Elizabeth II.
Vizita e presidentit koinçidon me përkujtimin e 75-vjetorit të zbarkimeve të asaj që njihet si “D Day”, ku Mbretëresha dhe Trump do të marrin pjesë të mërkurën.
Top Channel