Ashtu siç lajmëroi ditën e djeshme nga xhamia e Nazmagjasë se sot nuk do ketë fushatë zgjedhore, por një aksion për të mbledhur ndihma për banorët e prekur nga tërmetet në Korçë, kryebashkiaku Erion Veliaj bashkë me vullnetarët u organizuan në një fushatë bamirësie ku me qindra qytetarë u solidarizuan duke mbushur që në orët e para të mëngjesit tre kamionë të mëdhenj me ushqime, veshmbathje etj të cilët janë nisur për në Korçë në ndihmë të familjeve të prekura nga lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit.
“Ne në Tiranë besojmë tek parimi, një për të gjithë e të gjithë për një. Sot ka Korça një situatë të vështirë, nesër mund ta kemi ne e të na gjendet Korça. Ndaj dua të falënderoj të gjithë familjet që iu përgjigjën në kohë rekord mbushjes së tre kamionëve që do të nisen pas pak për në qytetin e Korçës”, tha Veliaj.
Edhe vetë kryebashkiaku Veliaj dhe bashkëshortja e tij kontribuuan me ndihma për të prekurit. “Unë dhe Ajola si prindër të një bebi të vogël kishim më shumë merak për fëmijët e vegjël, ashtu si tha edhe Romina, që janë gjendur në këtë situatë të vështirë. Dhurata jonë modeste është kryesisht qumësht, panolina, biberonë dhe të gjithë nevojat higjienike që mund të ketë për fëmijët që janë aty por nëse do të ketë të tjera, ne do i adresojmë ato sipas feed back që na jep ekipi ynë i emergjencave që është bashkuar atje”, tha ai.
Stenda do jetë e hapur gjatë gjithë ditës dhe kushdo mund të shkojë të japë ndihmë.
“Ne kemi vendosur edhe pas mbushjes së tre kamionëve ta mbajmë stendën hapur gjatë gjithë ditës. Njerëzit kanë festën e Bajramit, është një mundësi e mirë për një sevap, për një ndihmë dhe për një solidaritet, ndaj gjatë gjithë ditës pasi mbarojnë ceremonitë, drekat apo të gjithë pritjet e përcjelljet në institucionet e besimit, secili mund të bëjë një ndalesë të vogël tek Bashkia e Tiranës dhe të japë atë kontributin e vet”, nënvizoi Veliaj.
Por ndihma e Bashkisë së Tiranës nuk konsiston vetëm në pakot me ushqime dhe veshmbathje. Një grup emergjencash janë nisur drejt qytetit të Korçës për të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate.
Top Channel